Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi të hënën se ka kryer një sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor, ku mbetën të vrarë dy persona.
Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM) bëri të ditur në një postim në X se sulmi, i zhvilluar të dielën, kishte në shënjestër një anije që operonte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor.
Sipas SOUTHCOM, informacionet e mbledhura kishin konfirmuar përfshirjen aktive të anijes në trafikimin e drogës. Komanda e cilësoi operacionin si një tjetër hap në luftën kundër karteleve të drogës.
Pamjet bardhë e zi të publikuara së bashku me deklaratën tregojnë një varkë duke lëvizur në ujë, përpara se të përfshihet nga një shpërthim i fuqishëm.
Ushtria amerikane nisi operacionin “Shtiza Jugore” në fillim të shtatorit, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë në luftë me kartelet e drogës që veprojnë në Amerikën Latine.
Sipas një vlerësimi të agjencisë AFP, që nga fillimi i operacionit më shumë se 200 persona janë vrarë në sulme në Paqësorin Lindor dhe Detin e Karaibeve.
Megjithatë, administrata Trump nuk ka paraqitur prova përfundimtare se të gjitha anijet e goditura nga ushtria amerikane kanë qenë të përfshira në trafikimin e drogës.
Ekspertë të së drejtës dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësime se këto sulme mund të përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore.