61 raste të reja të trajtuara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave brenda një jave

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka njoftuar se gjatë periudhës 14–21 gusht 2026, Mbrojtësit e Viktimave në nivel të Republikës së Kosovës kanë trajtuar gjithsej 61 raste të reja të paraqitura në këtë zyrë.

Sipas të dhënave të ZMNV-së, shumica dërrmuese e rasteve kanë të bëjnë me dhunën në familje. Nga 61 rastet e reja, 58 janë raste të dhunës në familje, ndërsa është trajtuar nga një rast për sulm seksual, keqpërdorim të fëmijës në pornografi dhe shkelje të urdhrit mbrojtës.

Gjatë kësaj periudhe janë parashtruar edhe 2 kërkesa për urdhër mbrojtjeje në gjykatë, 21 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente, si dhe 2 kërkesa për vazhdimin e urdhrit mbrojtës dhe 3 kërkesa për tërheqjen e tij.

Në kuadër të punës së Mbrojtësve të Viktimave, gjatë kësaj jave janë evidentuar edhe 18 aktvendime të aprovuara, 19 seanca gjyqësore dhe 15 seanca në prokurori.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se viktimave u janë ofruar 65 këshilla juridike, ndërsa janë regjistruar 12 aktgjykime dënuese, një aktgjykim refuzues dhe një aktgjykim lirues.

Sa i përket mbështetjes dhe referimit të viktimave, ZMNV ka pranuar 5 kërkesa për kompensim nga Fondi për Viktimat, janë paraqitur 2 ankesa, ndërsa rastet janë referuar edhe në institucione të tjera, përfshirë Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, Qendrat për Punë Sociale, strehimoret dhe Policinë e Kosovës.

Të dhënat e publikuara nga ZMNV pasqyrojnë numrin e rasteve dhe shërbimeve të trajtuara gjatë periudhës njëjavore 14–21 gusht 2026 dhe përfshijnë veprimet juridike dhe institucionale të ndërmarra në mbështetje të viktimave. /RTKlive

Read Previous

​Volejbolli ia sjell Kosovës triumfin e parë në Lojërat Mesdhetare

Read Next

Tragjedi në Alaskë: Rrëzohet një avion civil pranë një stacioni radarësh, humbin jetën të 8 persona