Trump pezullon tarifat e reja ndaj Kanadasë dhe thotë se vendet janë afër një marrëveshjeje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do ta shtyjë për tri ditë vendosjen e tarifave të reja ndaj një game të gjerë të mallrave kanadeze, ndërsa të dyja vendet po punojnë për finalizimin e një marrëveshjeje tregtare.

“Kam pezulluar tarifat prej 50% ndaj Kanadasë, të cilat ishte planifikuar të hynin në fuqi nesër në mëngjes, për një periudhë prej tri ditësh, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në pritje të finalizimit të dokumenteve, kanë një MARRËVESHJE!”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Njoftimi erdhi më pak se dy orë para se një tarifë prej 50% për rreth 20 miliardë dollarë amerikanë (28 miliardë dollarë kanadezë) importe kanadeze të hynte në fuqi.

Dy vendet kanë qenë në ngërç për disa çështje, përfshirë tarifat amerikane për automjetet dhe ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike amerikane nga shumë provinca kanadeze.

Trump dhe kryeministri kanadez Mark Carney kanë zhvilluar dy biseda këtë javë, ndërsa negociatorët tregtarë janë angazhuar në bisedime intensive që nga korriku, pasi presidenti amerikan kërcënoi me tarifat e reja, duke vendosur afatin më 19 gusht.

“Është bërë përparim i konsiderueshëm, megjithëse ende ka punë të rëndësishme për t’u bërë”, tha Carney në një letër të publikuar në X.

Trump tha gjithashtu se një marrëveshje përfundimtare tregtare mund të mundësojë ringjalljen e projektit të gazsjellësit/naftësjellësit Keystone XL. Ky projekt, i cili do të lidhte Albertën me SHBA-në, ishte bllokuar nga administratat e Barack Obamës dhe Joe Bidenit.

Ambientalistët dhe grupet indigjene e kanë kundërshtuar prej kohësh projektin, ndërsa Trump ka deklaruar disa herë se dëshiron ta rikthejë atë. Keystone XL do të mund të transportonte rreth 830 mijë fuçi nafte në ditë.

“Naftësjellësi i madh Keystone XL, i vrarë shumë kohë më parë nga Sleepy Joe Biden, mund të zgjohet nga varri!”, shkroi Trump në Truth Social.

Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së, Jamieson Greer, bëri të ditur se marrëveshja do të përfshijë “qasje gjithëpërfshirëse në treg për të gjitha mallrat amerikane, angazhime për sigurinë ekonomike dhe harmonizim të tregtisë digjitale”.

Marrëveshja do të përfshijë gjithashtu “shumë dispozita të rëndësishme që do të vazhdojnë të mbrojnë tregun tonë dhe punëtorët amerikanë, së bashku me partnerët tanë kanadezë”, thuhet më tej.

Shtyrja e tarifave është pritur mirë nga negociatorët kanadezë dhe bizneset në të dyja anët e kufirit, të cilat kanë paralajmëruar se tarifat e reja do të ishin të dëmshme për të dyja ekonomitë.

Tensionet mes dy partnerëve të mëdhenj tregtarë janë rritur që kur Trump u rikthye në detyrë në janar të vitit të kaluar dhe nisi një program të gjerë tarifash në nivel global, duke tronditur dekada të tregtisë së lirë mes Kanadasë dhe SHBA-së.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri: 25 vatra në 24 orë, 4 mbeten ende aktive

Read Next

Alarm për çmimet e ushqimeve: Gruri pritet të shtrenjtohet ndjeshëm