SHBA-ja ndan 242 milionë dollarë ndihmë për epideminë e Ebolës në Afrikë

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, planifikon të ndajë 242 milionë dollarë shtesë për të luftuar epideminë e Ebolës në Afrikë, njoftoi Departamenti i Shtetit i SHBA-së.

Fondet, të cilat kërkojnë edhe miratimin e Kongresit, do të drejtohen për shtypjen urgjente të epidemisë, forcimin e gatishmërisë së vendeve në rajon dhe ndihmën humanitare, thuhet në njoftim.

Njoftimi vjen pasi administrata e Donald Trump , që nga marrja e detyrës në janar 2025, ka zvogëluar fushëveprimin e programeve ndërkombëtare të ndihmës, ka shqyrtuar një numër iniciativash jashtë shtetit dhe ka tërhequr SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Shtetit, fondet e reja mbështeten në angazhimet e bëra në samitin e G7 në qershor, duke e çuar ndihmën totale të drejtpërdrejtë të SHBA-së për të luftuar epideminë e Ebolës në më shumë se 512 milionë dollarë.

Përveç kësaj, administrata njoftoi 350 milionë dollarë ndihmë humanitare për Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin e Jugut dhe Ugandën. Fondet janë pjesë e një pakete prej 1.8 miliardë dollarësh të shpallur më parë për Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), e cila është menduar për një numër vendesh. /RTKlive&HRT/

Read Previous

​Infantino kërkon falje për gabimet, por ruan postin në FIFA

Read Next

Policia e Kosovës: 136 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, shqiptohen 2750 gjoba