Mbi 3.8 milionë pasagjerë udhëtuan me avion në Shqipëri, rritje prej 26,4%

Mbi 3.8 milionë pasagjerë udhëtuan me linja ajrore në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 26,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë periudhës prill-qershor 2026 në transportin ajror operuan 33 shoqëri ajrore të huaja, ose katër më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit 2025.

Ndërkohë në hapësirën ajrore shqiptare u regjistruan 121 684 lëvizje avionësh, nga të cilat 98 468 ishin mbikalime, që përbëjnë 80, 9 % të totalit. Ndërsa, numri i fluturimeve me nisje dhe mbërritje në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë arriti në 23 216, në rritje krahasuar me 18 458 fluturime të regjistruara një vit më parë.

Rritja më e fortë u shënua në numrin e pasagjerëve. Gjatë tremujorit të dytë 2026 udhëtuan me transport ajror 3 858 055 pasagjerë, kundrejt 3 052 511 pasagjerëve në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke reflektuar zgjerimin e trafikut ajror dhe shtimin e kërkesës për udhëtime.

Ndërkohë, transporti ajror i mallrave shënoi një ecuri më të dobët. Volumi i mallrave dhe postës që hynë dhe dolën përmes transportit ajror arriti në 704 tonë, ku 74, 6% ishin mallra të hyrë dhe 25, 4% mallra të dalë. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, ky volum rezultoi 11, 9% më i ulët.

Edhe tregtia e mallrave me rrugë ajrore shënoi rënie. Volumi i eksporteve dhe importeve ajrore ishte 556 tonë, ose 4, 7% më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, mallrat e importuara me rrugë ajrore përbënin vetëm 0,02% të volumit të përgjithshëm të importeve në vend, çka tregon se transporti ajror vijon të ketë një peshë të kufizuar në tregtinë e jashtme të mallrave, ndërsa mbetet segmenti me rritjen më të shpejtë për transportin e pasagjerëve. /ATSH/

Read Previous

“Do t’ia shqyej zemrën në ring”, Joshua mesazh Furyt para duelit

Read Next

Toyota mbetet lider botëror për të shtatin vit radhazi