Roberto Mancini është pranë rikthimit në krye të Kombëtares së Italisë, ndërsa Claudio Ranieri pritet të marrë detyrën e drejtorit teknik, në kuadër të një riorganizimi të madh në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC).
Sipas mediave italiane, presidenti i Komitetit Olimpik Italian, Giovanni Malagò, ka konfirmuar gjatë mbledhjes së Këshillit Federal të FIGC-së se Mancini është zgjedhja kryesore për stolin e “Azzurrëve”, ndërsa marrëveshja pritet të finalizohet shumë shpejt. “Po flas me Roberto Mancinin si trajnerin e ri dhe po presim firmën e tij”, ka deklaruar Malagò.
Ky zhvillim vjen pas dorëheqjeve të Paolo Maldinit dhe Leonardos nga strukturat e “Club Italia”, pasi kandidatura e Andrea Pirlos për drejtimin e kombëtares nuk mori mbështetjen e nevojshme.
Mancini pritet të formojë një staf me emra të njohur të futbollit italian. Leonardo Bonucci, Antonio Gagliardi dhe Massimo Maccarone parashikohet t’i bashkohen ekipit teknik, ndërsa Marco Roccati pritet të emërohet trajner i portierëve.
Me rikthimin e Mancinit dhe ardhjen e mundshme të Ranierit në postin e drejtorit teknik, Italia synon të rikthejë stabilitetin dhe përvojën në drejtimin e përfaqësueses, ndërsa zyrtarizimi i dy emërimeve pritet të bëhet brenda ditës. /KosovaPress/