Delegacioni amerikan doli nga një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, në shenjë proteste ndaj komenteve të bëra nga Franca që krahasuan votimin e Uashingtonit për të drejtat e njeriut me atë të shteteve autoritare.
Grindja diplomatike u ndez fillimisht javën e kaluar, kur SHBA-të iu bashkuan Koresë së Veriut dhe Rusisë në votimin kundër zgjatjes së mandatit të Volker Turk si Komisioner i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, transmeton Telegrafi.
Pas votimit të së premtes, misioni francez në OKB kritikoi SHBA-të dhe e krahasoi atë me Korenë e Veriut dhe Rusinë.
“SHBA-të dikur ishin një pishtar i të drejtave të njeriut. Jo më,” postoi ajo në X.
Në përgjigje, ambasadori amerikan Mike Waltz akuzoi Francën se votoi për një shef të të drejtave të njeriut i cili kishte “dhënë leksione” vendeve demokratike ndërsa “u afrohej shtypësve më të këqij në botë”, pa dhënë hollësi se çfarë donte të thoshte.
Turk ka kritikuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe sjelljen ushtarake të Izraelit në Gaza.
Dalja e ekipit amerikan ndodhi ndërsa ambasadori i Francës Jerome Bonnafont po fliste gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit mbi luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ambasadori amerikan Dan Negrea tha se delegacioni do të vazhdojë të bëjë protesta të ngjashme derisa Franca “të heqë dorë nga retorika e saj përçmuese dhe mosrespektuese”.
Debati për mandatin e dytë të Turk, i cili u miratua me 144 shtete pro, 10 kundër dhe 13 abstenime, pasqyron tensionet midis Uashingtonit dhe Kombeve të Bashkuara.
Administrata Trump ka shkurtuar fondet për agjencitë e OKB-së dhe është tërhequr nga dhjetëra entitete të saj.
Të premten, ambasadori amerikan Jeff Bartos kritikoi riemërimin e Turk dhe tha se “do të ketë pasoja” për asamblenë e cila “toleron tejkalimet procedurale, marrëveshjet e fshehta dhe keqpërdorimin e posteve të OKB-së”.
“Shtetet e Bashkuara do të rivlerësojnë menjëherë angazhimin, pjesëmarrjen dhe financimin tonë”, tha ai.
Megjithatë, ambasadori francez Bonnafont e përshkroi Turk si “një zë të ndërgjegjes” i cili demonstroi “rigorozitet dhe paanshmëri” gjatë mandatit të tij të parë.
Zëvendës zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq nuk pranoi të komentonte mbi largimin e SHBA-së, duke shtuar se OKB pret që të gjitha shtetet anëtare ta respektojnë vendimin. /Telegrafi/