Dogana e Kosovës njofton se ka ndaluar tentativën për importimin e produkteve të padeklaruara, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.
“Në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, gjatë zbatimit të kontrolleve rutinore, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, i drejtuar nga një shtetas turk. Gjatë intervistimit, drejtuesi i automjetit deklaroi se nuk kishte mallra për të deklaruar. Megjithatë, bazuar në procedurat standarde të kontrollit, zyrtarët doganorë vendosën të kryejnë kontroll të detajuar të automjetit, me ç’rast u zbuluan mallra të padeklaruara”, njofton Dogana.
Gjatë kontrollit u gjetën produktet në vijim: • Elasty G PLUS (produkte për kujdes ndaj lëkurës) – 10 copë, masport 500 – 20 copë.
“Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës dhe ndaj rastit janë ndërmarrë procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve, duke parandaluar hyrjen në treg të produkteve të padeklaruara dhe të pakontrolluara, si dhe duke luftuar çdo formë të tregtisë së paligjshme në përputhje me legjislacionin në fuqi”, njofton Dogana e Kosovës. /RTKLive