Dogana bllokon produkte të padeklaruara me rrezik për qytetarët e Kosovës
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë thirrje që vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të jetë i bazuar në drejtësi dhe jo në konsiderata politike.
Duke folur për mediat, Konjufca tha se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe vlerësoi se një vendim që, sipas tij, do ta paraqiste atë si luftë kriminale do të shkaktonte pakënaqësi të madhe në Kosovë.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos bëjë vendim politik, por vendim të drejtësisë. E nëse bën vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çka është drejtësia. Ne të gjithë jemi dëshmitarë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë. Të kishte qenë luftë kriminale, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Konjufca.
Ai theksoi se mbështetja e vendeve perëndimore dhe bashkëpunimi me NATO-n dëshmojnë, sipas tij, karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së.
“Nuk ka mundësi një luftë kriminale me u mbështetë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës. Gjeneralët më të njohur të NATO-s kanë qenë bashkë me figurat më të njohura të UÇK-së. Oficerët e NATO-s kanë bashkëpunuar me oficerët e UÇK-së që lufta të jetë e suksesshme, sepse lufta jonë i ka kontribuar ndaljes së gjenocidit të Millosheviqit”, u shpreh ai.
Konjufca shtoi se një vendim i bazuar në konsiderata politike do të shkaktonte reagime të forta.
“Kjo është drejtësia. Nëse vendoset drejtësia, ne nuk dëshirojmë si popull, bile do të ishim shumë të revoltuar nëse do të merrej vendim politik”, tha ai. /RTKlive
Konjufca: Haxhiu mbetet kandidate për kryetare të Kuvendit
Në një deklarim të veçantë, zëvendëskryeministri i parë foli edhe për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke bërë të ditur se Albulena Haxhiu mbetet emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryetares së Kuvendit.
Ai sqaroi se çështja ende nuk është diskutuar në organet e partisë, por la të kuptohet se nuk priten ndryshime në propozim.
“Unë mendoj që kryetaren e Kuvendit tashmë e kemi vendosur, ajo është zonja Haxhiu. Dhe ma merr mendja që do të jetë propozimi i njëjtë”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, vendimi përfundimtar pritet të merret në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. /RTKlive