Bajrami: S’mund të ketë dialog të besueshëm nëse njëra palë ka pretendime territoriale

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë serbe u ka kërkuar atyre të jenë të gatshëm për mbrojtjen e siç ka thënë “tokës së shenjtë të Serbisë”, duke aluduar në Kosovën. 

Bajrami në një postim në platformën “X” ka thënë se nuk mund të ketë dialog të besueshëm nëse njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër. 

“Beogradi vazhdon ta mohojë realitetin, ta mohojë të vërtetën dhe ta riciklojë guhën e viteve ’90. Nuk mund të ketë dialog të besueshëm ndërsa njëra palë ende pretendon territorin e palës tjetër dhe ëndërron për përsëritjen e spastrimit etnik. Kosova nuk do ta negicojë ekzistencën e saj”, ka shkruar Bajrami. 

Bajrami ka shpërndarë një reagim të Demokratëve Evropianë ndaj deklarimeve të Vuçiqit dhe të ministres serbe Snezhana Paunoviq.

Në reagimin e Demokratëve Evropianë thuhet se Vuçiq sërish deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë, duke ringjallur retorikën që minon pajtimin dhe stabilitetin në rajon. 

“Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pasi ministrja Sneazhana Paunoviq deklaroi se do ta kishte ‘spastruar etnikisht’ Kosovën në vitin 1998. Këto komente u dënuan gjerësisht në të gjithë Evropën, megjithatë nuk kanë pasuar pasoja politike. Lidershipi definohet jo vetëm nga qëndrimet që merr, por edhe nga retorika që toleron dhe legjitimon. Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership të përgjegjshëm të përkushtuar ndaj dialogut, pajtimit dhe respektit për të drejtën ndërkombëtare. E ardhmja e tyre evropiane nuk mund të ndërtohet mbi narrativa nacionaliste, por mbi besimin e ndërsjellë, llogaridhënien dhe vlerat e përbashkëta demokratike”, thuhet në reagimin e “European Democrats”. 

Read Previous

Parashikimi i motit për sot