Vetëm brenda një muaji, futbolli anglez ka parë të thyhen dy herë rekordet për transferimin më të shtrenjtë të një lojtari britanik.
Fillimisht ishte Elliot Anderson, i cili u transferua nga Nottingham Forest te Manchester City për 116 milionë euro, ndërsa pak javë më vonë Chelsea pagoi 117 milionë euro për të siguruar shërbimet e Morgan Rogers nga Aston Villa.
Të dy janë mesfushorë anglezë, të dy vetëm 23 vjeç dhe konsiderohen si futbollistë që ende nuk e kanë arritur kulmin e karrierës së tyre.
Pikërisht ky kombinim i talentit, potencialit dhe performancës së menjëhershme ka bërë që klubet më të mëdha të Ligës Premier të investojnë shifra rekord.
Anderson mbërrin te Manchester City pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Nottingham Forest, ku spikati pavarësisht vështirësive të skuadrës në luftën për mbijetesë.
Ai ishte gjithashtu një nga lojtarët kyç të Anglisë në Kupën e Botës 2026, duke qenë titullar në shtatë nga tetë ndeshjet e “Tre Luanëve”, të cilët e mbyllën turneun në vendin e tretë.
Statistikat e tij në Ligën Premier flasin qartë për ndikimin që pati sezonin e kaluar.
Anderson regjistroi plot 3.300 prekje të topit, më shumë se çdo futbollist tjetër në elitën angleze. Ai ishte lider edhe për duelet e fituara (297), rikuperimet e posedimit (306) dhe faullet e fituara (80).
Në aspektin e organizimit të lojës, mesfushori anglez kompletoi 2.038 pasime, më shumë se çdo mesfushor qendre në kampionat, ndërsa realizoi edhe 376 pasime që thyen linjat kundërshtare, duke dëshmuar aftësinë e tij për të ndërtuar aksione sulmuese.
Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në fazën mbrojtëse. Anderson e mbylli sezonin me katër gola dhe katër asistime, ndërsa krijoi 54 raste për gol, nëntë prej të cilave konsideroheshin raste të pastra shënimi.
Në anën tjetër, Morgan Rogers ka kaluar në Chelsea pas paraqitjeve mbresëlënëse me Aston Villën, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të kërkuar në Evropë.
Edhe ai, si Anderson, përfaqëson profilin e futbollistit modern: fizikisht i fortë, teknikisht i kompletuar dhe me aftësi për të ndikuar në të dy fazat e lojës.
Interesimi i madh për mesfushorët anglezë nuk ndalet vetëm te këta dy emra.
Talente si Adam Wharton dhe Alex Scott po monitorohen nga klubet elitare, duke konfirmuar se Anglia vazhdon të prodhojë futbollistë të nivelit të lartë në repartin e mesfushës.
Për klubet e Ligës Premier, investimi në lojtarë të rinj anglezë përfaqëson jo vetëm një garanci sportive, por edhe një aset afatgjatë.
Përvoja në kampionatin më të fortë në botë, statusi i lojtarëve vendas dhe potenciali për t’u zhvilluar edhe më tej janë faktorët kryesorë që kanë çuar çmimet e tyre në nivele rekord. /Telegrafi/

