Balla: Kuvendi të dënojë dhunën e protestuesve kundër policëve

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu nga foltorja e Kuvendit solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur gjatë protestës, duke dënuar ashpër aktet e dhunës ndaj efektivëve.

Balla tha se katër punonjës policie ndodhen nën kujdesin e mjekëve pas sulmeve që, sipas tij, u kryen nga “elementë terroristë”, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se nuk është distancuar nga dhuna.

“Protesta nisi kundër dhunës, por përfundoi me sulme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë ndaj tyre, ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi Balla.

Balla kërkoi që Kuvendi të dënojë dhunën ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa u bëri thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë ndaj autorëve të sulmeve.

Ai iu referua edhe deklaratave të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se lëvizje ekstremiste mund të rrezikojnë stabilitetin në Europë dhe se, sipas tij, organizatorë të protestave janë identifikuar se kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit.

“Solidaritet i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Jeni të përdhunuar nga ajo protestë, por ne kurrsesi për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit”, deklaroi Balla.

“Unë nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga Partia Demokratike të mos distancohet nga dhuna. Kuvendi i Shqipërisë duhet ta dënojë, duhet ta dënojë ashpër, duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër punonjësve të policisë”, deklaroi Balla. /ATSH/ 

Read Previous

Lavrov i kërkon Rubios ndalimin e dërgesave të armëve për Ukrainën

Read Next

Kombëtarja e njohur po shqyrton një ankesë ndaj Trumpit për përfshirje në Kupën e Botës