Jorge Jesus prezantohet te Portugalia: Cristiano Ronaldo nuk do të jetë kurrë problem
Mesfushori i Spanjës, Mikel Merino, e ka cilësuar si “surreale” faktin që shënoi golin e fitores në fund të ndeshjes për të dytën herë radhazi në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Merino realizoi golin vendimtar në minutën e 88-të në fitoren 2-1 ndaj Belgjikës në çerekfinale, vetëm pak ditë pasi kishte shënuar në kohën shtesë në triumfin 1-0 ndaj Portugalisë.
“Nuk mund ta kisha imagjinuar diçka të tillë as në ëndrrat e mia më të çmendura edhe një gol tjetër në minutat e fundit. Mendova se do të duhej shumë kohë për ta përsëritur një moment të tillë dhe ia dola që në ndeshjen e radhës”, deklaroi Merino.
Goli erdhi pasi goditja e Pau Cubarsit u ndal nga portieri rezervë i Belgjikës, Senne Lammens, i cili nuk arriti ta kontrollonte topin. Reagimin më të shpejtë e pati Merino, i futur në lojë vetëm dy minuta më parë, duke dërguar topin në rrjetë.
Mesfushori i Arsenalit tha se nuk bëhet fjalë vetëm për rastësi, por për qasjen dhe besimin me të cilin hyn në fushë.
“Dal në fushë me dëshirë dhe besim për të kontribuar kudo që ekipi ka nevojë. Pikërisht këtë bëra”, u shpreh ai.
Merino vlerësoi se rrugëtimi i Spanjës deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës ka qenë më i vështirë sesa triumfi në Kampionatin Evropian dy vjet më parë.
“Sot ishte një betejë”, pranoi ai.
Fitorja ndaj Belgjikës i ka siguruar Spanjës një përballje në gjysmëfinale me Francën, që konsiderohet favoritja kryesore e turneut, ndonëse spanjollët e mposhtën 2-1 në Kampionatin Evropian
“Do të jetë një duel kokë më kokë. Kështu janë gjithmonë gjysmëfinalet. Ne po hyjmë në ndeshjen kundër Francës me uri dhe dëshirë për fitore. Është një ndeshje e nivelit elitar, niveli më i lartë. Janë dy skuadra që po luajnë futboll në nivelin maksimal. Ne do të përpiqemi të japim maksimumin”, përfundoi ai.
Ishte hera e dytë këtë javë që Merino ka qenë heroi i Spanjës. Ai gjithashtu shënoi një gol fitoreje në minutën e 91-të kundër Portugalisë në raundin e 16-të të hënën, pasi hyri në fushë në minutën e 85-të. /KosovaPress/