Aeroporti i Stambollit mbetet më i ngarkuari në Evropë me 1.587 fluturime ditore
Ish-kryeministri suedez dhe ish-ministri i Jashtëm, Carl Bildt, ka ngritur alarmin për rritjen e tensioneve në Ballkan, duke e cilësuar situatën aktuale në rajon si gjithnjë e më shqetësuese. Në një analizë të publikuar më 6 tetor në Radar, Bildt paralajmëron se zhvillimet politike në Serbi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë mund të ushqejnë njëra-tjetrën dhe të krijojnë një klimë të re destabilizimi, shkruan Radar
Bildt e vë në qendër të shqetësimeve Serbinë dhe politikën e presidentit Aleksandar Vuçiq, duke argumentuar se një rezultat i kontestueshëm i zgjedhjeve në Serbi mund të përkeqësojë situatën. Sipas tij, në një skenar ku rezultati zgjedhor është i pasigurt, ekziston mundësia që pushteti i Vuçiqit të shpallë fitoren, gjë që, sipas Bildt, do ta bënte situatën edhe më të paqëndrueshme.
Ai kritikon gjithashtu atmosferën nacionaliste që, sipas tij, po rikthehet në rajon. Bildt përmend ceremonitë në Beograd pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid, duke thënë se kjo ka rihapur trauma të vjetra dhe ka nxitur tensione nacionaliste.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës janë përkeqësuar, ndërsa procesi i integrimit evropian të Serbisë ka ngecur. Në këtë kontekst, Bildt shpreh shqetësim edhe për dobësimin e angazhimit amerikan dhe evropian në proceset politike të Ballkanit.
Bildt paralajmëron se zhvillimet në vendet e rajonit nuk duhet të shihen të izoluara.
“Në secilin prej vendeve të rajonit zhvillohen procese të veçanta politike, por rreziku që ato të përhapen dhe të ndikojnë negativisht te njëra-tjetra është i madh”, shkruan ai.
Ai përmend edhe Kosovën, ku sipas tij normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ka ngecur, ndërsa sistemi politik kosovar ndodhet në një situatë të vështirë.
Në përfundim, ish-kryeministri suedez thotë se asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk çon domosdoshmërisht drejt një konflikti të ri, por të marra së bashku mund të krijojnë një “masë kritike” të tensioneve nacionaliste.
“Edhe përplasjet e kufizuara mund të mjaftojnë për ta shtyrë të gjithë rajonin në një rrugë më të pasigurt dhe më të rrezikshme”, paralajmëron Bildt, duke u bërë thirrje veçanërisht liderëve evropianë që t’i marrin seriozisht këto shenja paralajmëruese.