Raporti: Shqipëria mes vendeve kryesore të tranzitit të heroinës në Evropë
Shqipëria renditet mes vendeve kryesore të nisjes ose tranzitit të ngarkesave të heroinës drejt Evropës, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) në Raportin Botëror të Drogave 2026 (World Drug Report 2026).
Në hartën statistikore që shoqëron raportin, bazuar në rastet e sekuestrimeve të raportuara për periudhën 2021–2024, Shqipëria klasifikohet si një nga shtetet kryesore të origjinës ose tranzitit të dërgesave të heroinës.
Në të njëjtën kategori me Shqipërinë në Evropë renditen edhe Turqia, Bullgaria, Greqia, Italia, Spanja, Franca, Belgjika dhe Holanda. Jashtë kontinentit evropian, në hartë përfshihen vende si Afganistani, Irani, Pakistani, India, Kirgistani, Taxhikistani, si dhe disa shtete të Afrikës dhe Azisë.
Raporti thekson se tregu global i opioidëve po kalon një periudhë transformimi, pas ndalimit të kultivimit të opiumit në Afganistan në vitin 2022, i cili ka sjellë një rënie të ndjeshme të prodhimit të opiumit dhe heroinës. Sipas UNODC, rritja e prodhimit në Mianmar nuk ka qenë e mjaftueshme për të kompensuar këtë rënie.
“Një ndërprerje e perceptuar ose reale në furnizimin me heroinë në tregjet kryesore të konsumit do t’i nxisë trafikantët të kërkojnë alternativa. Kjo, nga ana tjetër, mund të zhvendosë kultivimin e paligjshëm të opiumit dhe prodhimin ilegal drejt vendeve të tjera, ose të nxisë kalimin te zëvendësues sintetikë, si fentanilet dhe nitazenet, apo opioidë të tjerë të rinj sintetikë”, thuhet në raport.
Në një tjetër hartë të publikuar në raport, Shqipëria shfaqet mes vendeve evropiane ku sekuestrimet e kokainës kanë shënuar rritjen më të madhe gjatë vitit 2024.
Sipas UNODC, vendi klasifikohet në kategorinë e shteteve ku sasia e kokainës së sekuestruar është dyfishuar ose është rritur edhe më shumë krahasuar me vitin 2023.
Shqipëria renditet në të njëjtin grup me disa vende të Evropës Juglindore dhe Lindore, ku është regjistruar një rritje e ndjeshme e goditjeve ndaj trafikut të kësaj lënde narkotike.
Raporti vëren se trafiku i kokainës në Evropën Perëndimore dhe Qendrore ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë vitit 2024, ndërsa operacionet e autoriteteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë detyruar grupet kriminale të ndryshojnë rrugët dhe metodat e transportit.
UNODC thekson se sasia e kokainës së sekuestruar në Evropën Perëndimore dhe Qendrore ishte rritur shtatëfish në periudhën 2014–2023. Megjithatë, gjatë vitit 2024 në disa vende u vu re rënie e pastërtisë së kokainës në tregun me pakicë dhe ulje e sasive të sekuestruara, çka mund të sinjalizojë ndërprerje të përkohshme të flukseve, ndërsa rrjetet kriminale po përshtateshin me pika të reja hyrjeje.
Raporti evidenton gjithashtu se qendrat kryesore të trafikut të kokainës janë zhvendosur nga portet e Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës drejt Francës, Portugalisë dhe Spanjës.
Sipas analizës së UNODC, rastet e zbulimit të ngarkesave të kokainës të transportuara me kontejnerë drejt Evropës janë ulur në destinacionet tradicionale evropiane, ndërsa janë rritur në Amerikën e Jugut, duke sugjeruar një zhvendosje të sekuestrimeve më pranë vendeve të origjinës së drogës.
Raporti nënvizon se grupet kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë ngarkesa më të vogla dhe metoda më pak të rrezikshme për fshehjen e drogës, ndërsa edhe portet më të vogla po fitojnë rëndësi në rrjetet e trafikut.
Pavarësisht ndryshimeve në rrugët dhe metodat e transportit, UNODC vlerëson se flukset e kokainës drejt Evropës mbeten në nivele të larta. /Albanianpost.com