Nga 2011 në 2024 – çfarë ndryshoi në popullsinë dhe jetën në Gjakovë?
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shprehur krenarinë e tij pas fitores ndaj Algjerisë, me të cilën helvetikët siguruan kualifikimin në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026. Mesfushori festoi njëkohësisht edhe paraqitjen e tij të 150-të me fanellën e kombëtares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të veçanta të karrierës.
“Është një privilegj që e kam veshur këtë fanellë për herë të 150-të. Ky vend, ku linda dhe u rrita, i ka dhënë shumë familjes sime. Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit”, deklaroi Xhaka menjëherë pas ndeshjes.
Kapiteni zviceran zbuloi se para sfidës kishte kërkuar nga bashkëlojtarët që ta bënin ditën edhe më të veçantë me një kualifikim. “Dëshira ime ishte ta bëja ditën edhe më të veçantë duke avancuar. Ekipi bëri pikërisht këtë”, tha ai.
Duke komentuar suksesin historik të Zvicrës, e cila fitoi një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1938, Xhaka minimizoi rëndësinë e statistikave.
“Nuk jam adhurues i statistikave. Ne i marrim ndeshjet një nga një. E dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë dhe ku duhet të përmirësohemi”, u shpreh ai.
Mesfushori vlerësoi veçanërisht paraqitjen mbrojtëse të skuadrës kundër Algjerisë, duke theksuar se kjo ka qenë një nga pikat më të forta të Zvicrës në vitet e fundit.
Në fund, Xhaka falënderoi tifozët zviceranë për mbështetjen, duke vlerësuar faktin se shumë prej tyre u zgjuan në orët e para të mëngjesit për të ndjekur ndeshjen. /KosovaPress/