Kampionati Botëror, për kë bëhet tifo në qytetin e Gjakovës?
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për të ndalur përkohësisht sulmet e ndërsjella në Gjirin Persik dhe për të rifilluar negociatat lidhur me mosmarrëveshjen mbi Ngushticën e Hormuzit.
Lajmi u konfirmua të dielën nga një zyrtar amerikan, duke rritur shpresat për shpëtimin e marrëveshjes së përkohshme të paqes.
Sipas zyrtarit, bisedimet teknike do të vazhdojnë për të gjitha pikat e memorandumit 14-pikësh të mirëkuptimit, të arritur më 17 qershor, i cili parashikon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për qarkullimin e lirë të anijeve dhe vazhdimin e dialogut diplomatik.
Mediat amerikane raportojnë se raundi i ardhshëm i negociatave pritet të zhvillohet të martën në Katar, raportoi Reuters.
Përshkallëzimi i fundit nisi pasi një predhë iraniane goditi një anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit të enjten. Pas incidentit, Uashingtoni dhe Teherani akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit të përkohshëm të arritur më 17 qershor.
Të dielën në orët e para të mëngjesit, Irani lëshoi raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, vetëm pak kohë pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Republika Islamike do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk respekton marrëveshjen për ndalimin e luftimeve.
Ushtria amerikane njoftoi se kishte kryer sulme të reja ndaj objektivave iraniane, disa orë pasi një cisternë ishte goditur në Ngushticën e Hormuzit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se mund të vijë momenti kur SHBA-ja “nuk do të jetë më në gjendje të përmbahet” dhe do të detyrohet të përfundojë operacionin ushtarak të nisur më herët.
Ai paralajmëroi se, në një skenar të tillë, “Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më”./koha.net