Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton akademikun dhe albanologun Rexhep Qosja

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujtoi sot, në ditën e lindjes, akademikun, shkrimtarin, kritikun letrar dhe albanologun e shquar, Rexhep Qosja, duke e vlerësuar si një nga personalitetet më të rëndësishme të mendimit shkencor dhe kulturor shqiptar.

Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, në një familje të njohur për traditën arsimdashëse dhe atdhetare. Ai kreu studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Prishtinës, ku u diplomua në vitin 1964, ndërsa më pas u specializua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Karrierën akademike e zhvilloi pranë Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku për shumë vite shërbeu si studiues, profesor dhe drejtor, duke u bërë një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike.

Në vitin 1971 ai mbrojti doktoraturën kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Asdreni, një punim që konsiderohet si një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e kritikës letrare shqiptare.

Autor i mbi 30 veprave studimore dhe letrare, Qosja la gjurmë të thella në fushën e albanologjisë, kritikës letrare, romanit, dramës dhe publicistikës. Ndër veprat e tij më të njohura renditen “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar” dhe “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Me krijimtarinë dhe mendimin e tij kritik, ai u rendit ndër intelektualët më me ndikim të shekujve XX dhe XXI, duke mbrojtur vazhdimisht identitetin kulturor dhe kombëtar shqiptar.

Për kontributin e tij të shquar, Rexhep Qosja u nderua me tituj dhe çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare, ndër to edhe titullin Nderi i Kombit.

Akademiku Rexhep Qosja u nda nga jeta më 23 prill 2026, në moshën 90-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore e letrare.

Në mesazhin e saj përkujtimor, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e vlerëson Rexhep Qosjen si “një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të albanologjisë dhe kulturës sonë kombëtare”, duke nderuar kujtimin e tij në ditën e lindjes.  /ATSH/

Read Previous

Shqipëri | Mbi 1.1 milionë turistë të huaj në maj, rritje me rreth 16%

Read Next

Çmimet e naftës bien në nivelet para luftës, ndërsa rihapet Ngushtica e Hormuzit