“VAR-i shkoi për kafe”, trajneri i Ganës akuzon gjyqtarët për favorizim të Anglisë

Trajneri i Kombëtares së Ganës, Carlos Queiroz, u tërbua pas barazimit 0-0 me Anglinë në raundin e dytë të Kupës së Botës.

Queiroz sulmoi ashpër gjyqtarët dhe përdorimin e teknologjisë VAR, duke pretenduar se skuadra e tij u penalizua për një penallti të pastër dhe një karton të kuq për portierin e Anglisë.

Trajneri portugez tha ironikisht se VAR ishte “në një pushim kafeje” dhe se Anglia ishte me fat që mori një pikë.

Queiroz e përqendroi kritikën e tij në dy situata nga pjesa e dytë. E para ishte një penallti e pa dhënë ndaj sulmuesit Isaac Adu, dhe e dyta ishte një ndërhyrje nga portieri Jordan Pickford ndaj të njëjtit lojtar jashtë zonës së penalltisë, për të cilën trajneri ganez kërkoi një përjashtim të menjëhershëm.

“A funksionon fare ai VAR? A e kemi VAR-in në ndeshje? Pati një penallti të qartë që duhej të na ishte dhënë. Dhe pastaj pati një faull të qartë që ndaloi sulmuesin tonë. Ishte një karton i kuq. I pastër si lot, pa dyshim për këtë”, ka thënë fillimisht Queiroz.

Me një ton sarkaztik, ai shtoi se Anglia e shmangu humbjen vetëm falë mosveprimit të gjyqtarëve në dhomën e VAR-it.

“Anglia nuk humbi vetëm sepse VAR ishte me pushime. Nëse VAR nuk do të kishte shkuar për një kafe, ata do të kishin dhënë një penallti dhe ne do të kishim fituar”.

“Ata ishin me fat. Edhe mua më pëlqen të pi kafe, por kjo ishte një penallti e pastër. Pickford duhej të kishte marrë karton të kuq”, vazhdoi Queiroz, përpara se të përfundonte: “Më falni për sarkazmën time, por kur jam serioz, atëherë më penalizojnë. Po bëj shaka, sigurisht”. /Telegrafi/

Read Previous

Reforma e pensioneve ndez debatet në Gjermani, propozohet pensioni deri në moshën 70-vjeçare

Read Next

Kanadaja tregon dërgesat e pajisjeve të reja ushtarake në Ukrainë