Reforma e pensioneve ndez debatet në Gjermani, propozohet pensioni deri në moshën 70-vjeçare

Plani për të reformuar sistemin e pensioneve në Gjermani ka shkatuar mjaft reagime. Politikanët e qendrës e quajnë kompromis të mirë, ndërsa partitë opozitare janë të pakënaqura.

30 propozimet për reformën e pensioneve në Gjermani, të paraqitura nga një komision i posaçëm ekspertësh dhe politikanësh, u pritën me vlerësime nga grupet konservatore dhe me kundërshtime nga opozita dhe sindikatat.

Edhe para publikimit zyrtar të raportit të detajuar të komisionit prej 13 anëtarësh propozimet kryesore, të cilat u publikuan paraprakisht në mediat gjermane këtë fundjavë, shkaktuan reagime të shumta. Burime qeveritare në Berlin thonë se qeveria pritet të miratojë së shpejti një plan të bazuar në këto reforma.

Duke folur për publikun në një aktivitet të ditës së hapur të qeverisë federale në Berlin, kancelari Friedrich Merz theksoi se reformatjanë e vetmja mënyrë për të siguruar që sistemi i shtrenjtë i pensioneve në Gjermani të mbetet i përballueshëm në të ardhmen.

Propozimet kryesore për reformën e pensioneve

Propozimet, të cilat u prezantuan më herët se sa ishte planifikuar fillimisht, pjesërisht për shkak të presionit ndaj qeverisë, përmbajnë një përzierje kompromisesh dhe disa ide që priteshin prej kohësh.

Mosha ligjore e pensionit lidhet me jetëgjatësinë

Mosha ligjore e daljes në pension në Gjermani do të lidhet me jetëgjatësinë, gjë që sipas llogaritjeve të komisionit do të thotë se në vitin 2041 do të arrijë në 67.5 vjeç, në vitin 2051 do të jetë 68 vjeç dhe deri në vitin 2091 madje 70 vjeç.

Kjo ka shkaktuar kritika nga partitë e majta. Philipp Türmer, kreu i Jusos, organizatës rinore të Partisë Socialdemokrate (SPD), tha për radion gjermane DLF se do të ishte më e drejtë që mosha e pensionit të lidhej me numrin e viteve të kontributeve në sistem.

Jan Scharpenberg, ekspert pensionesh pranë kompanisë së këshillimit financiar Finanztip, tha se kjo ide ka kuptim, megjithëse duke pasur parasysh parashikimet aktuale të jetëgjatësisë, nuk do të sillte shumë ndryshim në aspekt afatshkurtër.

Jo dalje në pension të parakohshëm në moshën 63 vjeç

Sipas propozimit duhet të hiqet mundësia për të dalë në pension në moshën 63 vjeç pa humbur përfitimet, edhe nëse dikush ka kontribuar për 45 vjet në arkat e pensioneve. Kjo ide është kritikuar veçanërisht nga sindikatat, të cilat thonë se punëtorët në sektorin e industrisë preken më shumë nga stresi fizik dhe psikologjik. Christiane Benner, kryetare e sindikatës IG Metall, tha për radion DLF se ky propozim “injoron plotësisht” kushtet e jetës dhe të punës së punëtorëve në sektorët e industrisë.

Scharpenberg tha se mund të jetë një “goditje e hidhur” për disa. “Ndoshta është e nevojshme, por është padyshim një masë e ashpër,” tha ai. Një tjetër ndryshim do të jetë rritja e uljes së përfitimeve për ata që dalin në pension të parakohshëm.

Ndryshimi pritet të prekë shumë punëtorë në Gjermani: një sondazh i fundit i institutit Forsa për entin e sigurimit shëndetësor publik DAK tregoi se 44% e gjermanëve do të dëshironin të dilnin në pension të parakohshëm, dhe sa më gjatë të punojnë njerëzit, aq më shumë ka gjasa të marrin pushim mjekësor.

Më shumë kontribuues, më pak nëpunës civilë

Një tjetër pjesë e planit synon reformimin e sistemit duke kufizuar numrin e personave që bëhen nëpunës civilë, pasi në Gjermani ata kontribuojnë në një skemë të veçantë shtetërore pensioni. Ministrja e Punës Bas ka kërkuar që ky sistem të hiqet plotësisht, dhe nëpunësit civilë të detyrohen të paguajnë në të njëjtin sistem si të gjithë të tjerët.

Si kompromis komisioni propozoi që niveli i pensioneve të nëpunësve civilë të përshtatet me sistemin e përgjithshëm të pensioneve. Televizioni publik ZDF njoftoi gjithashtu se komisioni dëshiron të ulë numrin e personave që mund të bëhen nëpunës civilë, pasi në disa lande gjermane këtë status mund të kenë edhe mësuesit. /dw

Read Previous

FIFA trajton polemikat për ‘pushimin e hidratimit’ me një deklaratë të presidentit Infantino

Read Next

“VAR-i shkoi për kafe”, trajneri i Ganës akuzon gjyqtarët për favorizim të Anglisë