Kurti: Rezultati i zgjedhjeve të pranohet, pas certifikimit nisim diskutimet për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë e zgjedhjen e Presidentit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmendi konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit, për të cilat tha se do të nisë punën dhe diskutimet “porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve”.

Ai tha në fillim të një mbledhjeje të qeverisë sot se Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje.

“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai.

Kurti tha se rezultati i zgjedhjeve duhet “të pranohet e të respektohet”.

“Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat te digat, e jo vetëm”, tha ai./express

Read Previous

Selektori anglez thotë se mbrojtja e Ganës ishte më e forta që ka parë ndonjëherë

Read Next

“Shtatorja e gjallë” më në fund ia del të paraqitet në Botëror