Nga puna në fabrikë tek yll i Botërorit – superzëvendësuesi i Gjermanisë

Nuk ka kaluar shumë kohë që kur ai i kritikua publikisht nga trajneri Julian Nagelsmann. Por Deniz Undav po e dëshmon veten si lojtar vendimtar për Gjermaninë në Kupën e Botës.

Dy golat e Undavit në fitoren dramatike 2:1 ndaj Bregut të Fildishtë konfirmuan vlerën e tij.

Me golat e Undavit, “Die Manchaft” siguroi vendin e parë në grup dhe avancimin në fazën nokaut për herë të parë që nga viti 2014, kur e fitoi Botërorin.

Undav në fakt është përfshirë në pesë gola tashmë. I ka tri gola e dy asisime. Në të dy ndeshjet ishte zëvendësues. Vetëm edhe Roger Milla i Kamerunit kishte kaq ndikim në dy ndeshjet e para të Botërorit 1990.

Vendi i 29-vjeçarit në ekipin e Gjermanisë për Kupën e Botës ishte larg të qenit i sigurt, pas një grindjeje publike me Nagelsmannin, pas golit fitues të tij ndaj Ganës në mars. Edhe në atë ndeshje ishte vetëm zëvendësues, kurse realizoi në minutën e fundit.

Undav kishte folur hapur për ambicien që të jetë startues te Gjermania. Por Nagelsmann tha se sulmuesi po i bënte vetes presion të panevojshëm me komente të tilla.

Nagelsmann sugjeroi se nuk do të kishte shënuar nëse do të luante nga fillimi. Më vonë i kërkoi falje sulmuesit për këtë deklaratë.

Undav që atëherë ka lënë futbollin të flas. Dhe atë “zëshëm”.

Tani është në garë të fortë për vend të startuesit në Kupën e Botës. Undav i ka nëntë gola në 11 paraqitje për Gjermaninë.

“Po, patjetër”, tha Nagelsmann pas fitores të së shtunës mbrëma, kur u pyet nëse Undav mund të jetë startues në ndeshjen e ardhshme.

Gjermania të enjten luan me Ekuadorin, por tashmë ka siguruar vendin e parë në grup.

“E thash më parë se mund të flasim shumë për qasjet e ndryshme. Pse duhet ta prish rrjedhën e tij? Ai hyri dy herë dhe shënoi gola në të dy rastet”.

Është ky kapitulli i fundit në një udhëtim të jashtëzakonshëm për një sulmues që ka bërë karrierë duke sfiduar pritjet.

Puna për paratë e jetesës

Me dy golat ndaj Bregut të Fildishtë, Undav u bë gjermani i parë që shënoi në dy paraqitjet e para në Botëror, që nga Miroslav Klose në vitin 2002.

Ai tani është në grup elitar, por në një moment pjesëmarrja në Botëror ishte ëndërr e largët për Undavin. Ai ishte refuzuar nga Werder Bremeni në moshën 14-vjeçare.

Në moshën 17-vjeçare ai fitonte rreth 140 euro në javë si gjysmëprofesionist në nivelin e katërt gjerman. Balanconte karrierën e tij si futbollit me ndërrime tetëorëshe në një fabrikë.

“Kur Werderi më tha në moshën 14-vjeçare se nuk kisha të ardhme me të, sepse isha shumë i vogël, kjo më theu zemrën”, kishte thënë Undav në një intervistë.

“Por shpresoja. U largova nga shtëpia e familjes në moshën 17-vjeçare për të nënshkruar me skuadrën Havelse në kategorinë e katërt në Gjermani. Kombinova lojën dhe stërvitjen me punë në kohë të plotë, tetë orë në ditë. Kam drejtuar një makinë lazeri në një fabrikë. Zgjohesha në katër të mëngjesit. Shkoja në fabrikë, pastaj snë stërvitje dhe kthehesha në shtëpi rreth orës 8 të mbrëmjes. Dhe këtë gjë e bëja çdo ditë. Më duhej ta bëja atë punë për paratë që të jetoja. Nuk mund të mbijetoja vetëm me paratë e futbollit”, ka treguar tashmë ylli i Botërorit.

Undav u transferua te skuadra belge e kategorisë së dytë, Union Saint-Gilloise në vitin 2020. E ndihmoi atë të kalonte në elitë në vitin e dytë. Në elitën belge i shënoi 25 gola dhe kjo i siguroi transferim te Brightoni në Angli.

Por pasi i realizoi vetëm pesë gola në 22 paraqitje në Premier League në edicionin 2022/2023, ai u huazua te Stuttgarti. Klubi gjerman e transferoi plotësisht në vitin 2024.

Në edicionin e fundit i kishte 19 gola në Bundesligë. Vetëm Harry Kane kishte më shumë. Dhe kjo shifër golash ia hapi dyert për Botëror.

Pika më e lartë

Selektori Nagelsmann ka preferuar Kai Havertzin e Arsenalit në sulm, në fitoret ndaj Kuraçaot dhe Bregut të Fildishtë. Por Undav e ka hapur betejën.

“Kur loja hapet ai është shumë i mirë në lëvizje”, tha trajneri gjerman. “Mund t’i them që të mbaj ecurinë aktuale dhe se është më mirë të hyjë si finalizues. Ai me të vërtetë arriti pikën më të lartë për Kupë të Botës. Mund ta kem në formacionin titullar. Çdo lojtar dëshiron të startojë, por mendoj se ai është i lumtur ashtu siç është tani, sepse luajti rol të rëndësishëm dhe ne jemi të kënaqur me performancën e tij. Për Denizin ishte e qartë, ai na dha shumë në ndeshjen e fundit kur ishte zëvendësues. Denizi ka nevojë të jetë i përgatitur, ai mund të hidhet menjëherë”.

Së fundi si startues, Undav kishte luajtur më 31 maj ndaj Finlandës. Kishte shënuar dy gola dhe bëri një asistim në fitoren 4:0.

“Është ndjenjë e mrekullueshme”, tha sulmuesi i Stuttgartit pasi u shpall më i miri i ndeshjes ndaj Bregut të Fildishtë.

“Doja ta kisha herën e fundit, por nuk funksionoi. Është e mrekullueshme, ndjenjë fantastike. Për mua të marr trofeun është e jashtëzakonshme, por gjëja e rëndësishme është se kemi fituar ndeshjen dhe jemi në raundin tjetër. Të shohim se çka do të ndodhë”.

Nëse vazhdon njëjtë, më shumë çmime e presin. Ndoshta edhe çmimi më i madh i mundshëm – titulli i pestë i botës për Gjermaninë./koha.net

Read Previous

Starmer pritet të dorëhiqet të hënën nga posti i kryeministrit britanik