​Abdullahu: Dëshmitë e grave shqiptare kundër ish-gardianes serbe treguan dinjitet dhe besim në drejtësi

Historiani Durim Abdullahu e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj ish-gardianes serbe Nadica Cepkenoviq si një nga ngjarjet më të rëndësishme të dokumentuara në historinë e Kosovës në këtë fillimshekull.

Përmes një statusi në Facebook, Abdullahu vlerësoi dëshmitë e grave shqiptare që u paraqitën të mërkurën në gjykatë kundër Cepkenoviqit, e cila akuzohet për tortura dhe krime lufte ndaj të burgosurave shqiptare në Burgun e Lipjanit gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Sipas tij, Zahrije Podrimqaku Subashi, Jehona Krasniqi Morina dhe Mevlyde Saraqi dëshmuan për dhunën dhe torturat që i kanë përjetuar, duke kërkuar drejtësi dhe jo hakmarrje.

Abdullahu theksoi se dëshmitaret shprehën besim në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në zhvillimin e një procesi të drejtë gjyqësor për të akuzuarën.

Ai veçoi veçanërisht dëshminë e Jehona Krasniqi Morinës, për të cilën tha se tregoi vetëdije të lartë qytetare dhe politike, duke e përshkruar qëndrimin e saj si shembull të dinjitetit të një viktime përballë personit që akuzohet për persekutim.

“Jeohna Krasniqi Morina, jo vetëm që nuk shfryu ndaj persekutores së saj, siç do të mund të pritej gati natyrshëm për psikologjinë njerëzore të një viktime përballë xhelatit, por ajo e pati gjithë kthjelltësinë dhe vetëdijen politie t’i krahasonte burgjet e regjimit serb në Kosovë me kampet burgje naziste. Një karakter njeriu dhe një profil aktivisteje politike që të bën ta nderosh përulësisht”, ka shkruar ai.

Historiani Abdullahu vlerësoi se ky proces gjyqësor paraqet një përballje mes vlerave demokratike dhe trashëgimisë së politikave represive të regjimit të atëhershëm serb në Kosovë.

Derisa theksoi se raste të tilla rikujtojnë rëndësinë e dokumentimit dhe trajtimit të krimeve të luftës, Abdullahu shtoi se lufta çlirimtare e shqiptarëve përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve të popujve evropianë për liri dhe çlirim.

“Nadica Cepkenoviq, na kujton që regjimet politike fashiste dhe gjenocidale si ai i Serbisë së Millosheviqit, i prodhon gjithmonë Ilse Koch-të e saj. Andaj lufta çlirimtare e shqiptarëve është edhe një kapitull aq i rëndësishëm në historinë e luftërave çlirimtare dhe betejave për liri të popujve europianë”, ka përfunduar ai. /KosovaPress/ 

Read Previous

Nga Super Bowl te Botërori 2026, historia e stadiumit më të shtrenjtë në botë

Read Next

Çekia dhe Afrika e Jugut kërkojnë këndelljen pas humbjeve