Policia e Shtetit njofton se, në zbatim të udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë sezonit veror 2026 do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda në akset rrugore kryesore.
Masat vlejnë për automjetet e transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë, si dhe kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore në periudhat me fluks të lartë lëvizjeje.
Periudha e zbatimit të kufizimeve është nga data 19 qershor deri më 15 shtator 2026 dhe përfshin fundjavat dhe ditët e festave zyrtare.
Sipas njoftimit, ndalimi i qarkullimit do të zbatohet:
- Të premten nga ora 15:00 deri në 24:00
- Të shtunën nga ora 07:00 deri në 24:00
- Të dielën nga ora 07:00 deri në 24:00
Për festat zyrtare, kufizimet nisin nga ora 15:00 e ditës para festës dhe vijojnë deri në 24:00 të ditës së festës, si dhe nga ora 07:00 deri në 24:00 në vetë ditën e festës.
Kufizimet do të aplikohen në autostrada, rrugë interurbane dhe akse që lidhin zonat bregdetare e turistike, të cilat gjatë verës kanë ngarkesë të shtuar qarkullimi.
Nga këto masa përjashtohen mjetet e emergjencës, ato të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produkte ushqimore që prishen. Në raste të veçanta, autoritetet mund të japin autorizime specifike për furnizime emergjente.
Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve që të zbatojnë rregullat në fuqi, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një sezoni turistik më të sigurt dhe me fluks më të menaxhueshëm trafiku. /Albanianpost.com