Taulant Balla: Zona e investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me deltën e Vjosës
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, mori pjesë në Ceremoninë Përmbyllëse të Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku e cilësoi reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut si një nga ndërhyrjet më të thella dhe më të guximshme të shtetit shqiptar për forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Në fjalën e tij, Peleshi u shpreh se reforma në drejtësi ishte një akt vetëkorrigjimi i shtetit dhe një përgjigje ndaj nevojës për të rikthyer besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Dhjetë vite më parë, Shqipëria mori një rrugë që pak vende kanë pasur kurajën ta ndjekin. Ajo vendosi që sistemi i drejtësisë t’i nënshtrohej filtrit më të fortë që kishte njohur ndonjëherë. Jo për hakmarrje, jo për spektakël dhe jo për statistika, por sepse nuk mund të ketë shtet të fortë pa drejtësi të besueshme”, deklaroi ai.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi rezultatet e procesit të vettingut, duke theksuar se Shqipëria e vitit 2026 është ndryshe nga ajo e vitit 2016, me institucione më të forta, standarde më të larta dhe pritshmëri të reja të qytetarëve ndaj sistemit të drejtësisë.
Peleshi shprehu mirënjohje për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe për mbështetjen e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në zbatimin e reformës.
Ai nënvizoi se përfundimi i mandatit të institucioneve të vettingut nuk përbën fundin e përgjegjësisë për ruajtjen e standardeve të vendosura gjatë këtij procesi.
“Suksesi nuk do të matet më nga procesi i rivlerësimit. Ai do të matet nga cilësia e drejtësisë që marrin qytetarët, nga ndershmëria e sistemit dhe nga besimi që qytetarët kanë tek drejtësia”, tha Peleshi.
Duke e lidhur reformën në drejtësi me integrimin evropian, Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria ndodhet sot më afër se kurrë realizimit të objektivit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një proces që sipas tij mbështetet te forca e institucioneve, sundimi i ligjit dhe garantimi i drejtësisë për çdo qytetar.
Në përfundim, Peleshi ritheksoi angazhimin e Kuvendit për të mbrojtur dhe konsoliduar arritjet e reformës në drejtësi, duke nënvizuar se ruajtja e standardeve të fituara do të jetë testi i vërtetë i pjekurisë së shtetit shqiptar dhe i vetë reformës. /Albanianpost.com