Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur një mision të ri të Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Kosovës në parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Misioni, i udhëhequr nga ekspertët Joseph W. Burke dhe Norman Smith, është pjesë e një projekti të ri të Zyrës për Asistencë Teknike (OTA) të Thesarit amerikan, i cili synon avancimin e kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës mbikëqyrëse të BQK-së në fushën e AML/CFT.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili prezantoi mandatin dhe përgjegjësitë e BQK-së, duke vënë theks të veçantë në ruajtjen e integritetit të sistemit financiar, forcimin e mbikëqyrjes kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe luftimin e falsifikimit të monedhës.
Ai theksoi se BQK-ja ka ndërmarrë një sërë reformash për të rritur integritetin financiar dhe për të harmonizuar kornizën e saj me standardet ndërkombëtare. Sipas tij, progres i rëndësishëm është arritur në avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, përfshirë zbatimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, hartimin e rregulloreve për kripto-asetet dhe licencimin e ofruesve të shërbimeve të kripto-aseteve.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe projekti i ri që do të zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave, BQK-së, Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Projekti synon forcimin e kornizës së integritetit financiar në Kosovë përmes mbështetjes këshilluese nga ekspertë të fushës së parandalimit të pastrimit të parave, luftimit të financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes (AML/CFT/CPF).
Sipas BQK-së, nisma synon të rrisë koordinimin ndërinstitucional, të forcojë përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe të përmirësojë efektivitetin e mekanizmave për parandalimin dhe adresimin e rreziqeve të krimit financiar.
Me këtë rast, guvernatori Ismaili nënshkroi Termat e Referencës për projektin, duke riafirmuar përkushtimin e BQK-së për avancimin e kornizës kombëtare AML/CFT/CPF dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtje të sistemit financiar të Kosovës.
Në fund të takimit, Ismaili shprehu mirënjohje ndaj Departamentit të Thesarit të SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme teknike dhe bashkëpunimin institucional, duke vlerësuar rolin e tij në ngritjen e kapaciteteve të BQK-së dhe forcimin e integritetit financiar në vend. /RTKLive