Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke u bërë thirrje njëkohësisht forcave politike që të angazhohen me përgjegjësi për garantimin e dialogut dhe kompromisit institucional.
Në një reagim pas përfundimit të procesit zgjedhor, Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për, siç tha ai, pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik.
“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës. Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Begaj.
Presidenti shqiptar theksoi se në fazën paszgjedhore është e rëndësishme që të gjitha subjektet politike të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit institucional.
“Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar ai.
Begaj rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese, duke theksuar se Tirana do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe evropian./koha.net