Nga Australia në Evropë – Vendet nxitojnë ta ndalojnë qasjen e fëmijëve në mediat sociale

Australia është bërë në dhjetor vendi i parë në botë që ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke ua bllokuar qasjen në platforma si TikTok, YouTube, Instagram dhe Facebook.

Më poshtë është një përmbledhje e masave që vende dhe kompani të ndryshme po ndërmarrin për të rregulluar qasjen në rrjetet sociale, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e tyre në shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.

Australia

Një ligj historik detyron platformat kryesore të rrjeteve sociale të bllokojnë përdoruesit nën 16 vjeç duke filluar nga 10 dhjetori 2025. Kjo është një nga rregulloret më të ashpra në botë ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë.

Kompanitë që nuk respektojnë ligjin mund të përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë 

Britania e Madhe

Kryeministri britanik, Keir Starmer, pritet të shpallë një ndalim për platformat online të konsideruara “të dëmshme” për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa do të lejojë qasjen në disa forma më të sigurta të rrjeteve sociale.

Kina

Rregullatori kinez i internetit ka vendosur programin e quajtur “modaliteti për të mitur”, i cili përfshin kufizime në pajisje dhe aplikacione për të kontrolluar kohën e përdorimit sipas moshës.

Danimarka

Danimarka ka njoftuar në nëntor se do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Prindërit mund të lejojnë përdorimin e disa platformave për fëmijët që kanë mbushur 13 vjeç.

Franca

Parlamenti i Francës ka miratuar në janar një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, për shkak të shqetësimeve mbi bullizmin online dhe rreziqet për shëndetin mendor. Ligji duhet të miratohet edhe nga Senati.

Gjermania

Të miturit nga 13 deri në 16 vjeç mund të përdorin rrjetet sociale vetëm me pëlqimin e prindërve.

Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve thonë se këto kontrolle nuk janë të mjaftueshme.

Greqia

Greqia është shumë pranë shpalljes së një ndalimi për fëmijët nën 15 vjeç, sipas burimeve qeveritare.

India

Këshilltari kryesor ekonomik i Indisë bëri thirrje në janar për kufizime moshe në rrjetet sociale, duke i përshkruar ato si “grabitqare” për mënyrën se si mbajnë përdoruesit të angazhuar online.

Italia

Fëmijët nën 14 vjeç kanë nevojë për pëlqimin e prindërve për të hapur llogari në rrjetet sociale, ndërsa mbi këtë moshë nuk kërkohet pëlqim.

Malajzia

Malajzia ka filluar të ndalojë regjistrimin në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç.

Norvegjia

Qeveria norvegjez e ka propozuar në vitin 2024 rritjen e moshës së pëlqimit për përdorimin e rrjeteve sociale nga 13 në 15 vjeç.Gjithashtu po përgatitet një ligj për të vendosur një moshë minimale absolute prej 15 vjeç.

Polonia

Partia në pushtet po përgatit legjislacion të ri për të ndaluar rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç dhe për t’i bërë platformat përgjegjëse për verifikimin e moshës.

Sllovenia

Sllovenia po harton një ligj që do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Spanja

Kryeministri Pedro Sánchez ka deklaruar se Spanja do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç dhe do t’u kërkojë platformave të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës.

Suedia

Një komision qeveritar ka rekomanduar më 2 qershor vendosjen e një moshe minimale prej 15 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale. Platformat do të jenë përgjegjëse për verifikimin e moshës.

Shtetet e Bashkuara

Një projektligj amerikan që synon të detyrojë kompanitë e rrjeteve sociale të mbrojnë më mirë fëmijët dhe adoleshentët ka fituar mbështetje politike. Senatori Ted Cruz ka deklaruar se do të mbështesë ligjin Kids Online Safety Act, i cili kërkon që kompanitë të tregojnë “kujdes të arsyeshëm” në projektimin e funksioneve që mund të dëmtojnë të miturit.

Ky ligj është i ndarë nga Children’s Online Privacy Protection Act, i cili ndalon mbledhjen e të dhënave personale të fëmijëve nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.

Legjislacioni i Bashkimit Evropian

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar më 12 maj se BE-ja do të kërkojë mbrojtje më të fortë për fëmijët nga elementet e dëmshme të rrjeteve sociale.

Komisioni synon të luftojë praktikat “varësuese dhe të dëmshme” përmes ligjit të planifikuar Digital Fairness Act. Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon ndalim në nivel të BE-së për fëmijët nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve dhe ndalim të plotë për ata nën 13 vjeç.
Industria e teknologjisë

Platformat si TikTok, Facebook dhe Snapchat deklarojnë se përdoruesit duhet të jenë të paktën 13 vjeç për të hapur një llogari.

Megjithatë, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve argumentojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme, ndërsa të dhënat zyrtare në disa vende evropiane tregojnë se një numër i madh fëmijësh nën 13 vjeç vazhdojnë të kenë llogari në rrjetet sociale./koha.net

Read Previous

“Ndeshja e shekullit”: Dita kur Italia dhe Gjermania luajtën ndeshjen më të çmendur në historinë e futbollit

Read Next

Begaj kërkon angazhim të forcave politike për stabilitet institucional në Kosovë