Irani kërcënon me zgjerim të luftës

Irani ka paralajmëruar se negociatat me SHBA-në janë në ngërç dhe se marrëveshja varet nga lirimi i 24 miliardë dollarëve asete të ngrira. Teherani ka kërcënuar me zgjerim të luftës dhe sulme ndaj bazave amerikane nëse vazhdojnë sulmet

Një marrëveshje e mundshme paqeje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit varet nga administrata Trump, nëse pajtohet që t’i lirojë asetet e ngrira iraniane në vlerë prej 24 miliardë dollarësh, ka thënë një zyrtar i lartë iranian. Mohsen Rezaei, këshilltar ushtarak i liderit suprem iranian, ka paralajmëruar në një intervistë për CNN-in të premten në Teheran se “SHBA-ja do të hyjë në korridor të errët” nëse i vazhdon luftimet.

“Negociatat kanë hasur në ngërç dhe Trumpi duhet ta zhbllokojë”, ka thënë këshilltari i ajatollahut Mojtaba Khamenei. “Topi është në anën e Trumpit”.

Irani raportohet se ka kërkuar lëshimin e fondeve të ngrira në vlerë prej 12 miliardë eurosh sapo që një marrëveshje e përkohshme të nënshkruhet me SHBA-në. 12 miliardë të tjerë janë kërkuar për fazë të mëvonshme.

Zyrtarët amerikanë druajnë se lirimi i fondeve të ngrira në këtë fazë do ta hiqte një levë negocimi për të ardhmen. Trumpi ka kërkuar që çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet, të jetë më e fortë se dakordimi për armët bërthamore më 2015 dhe që të shmangë çdo gjë që mund të interpretohet si dorëzim.

Në një intervistë të rrallë për mediat amerikane, Rezaei ka dhënë detaje nga vizioni që e mendojnë udhëheqësit pas krizës, për fatin e Hormuzit dhe se si Irani do të vepronte po që se sulmohet sërish. Deklaratat e tij konsiderohen të rëndësishme sepse është figurë e afërt me liderin suprem që nuk është parë në publik prej se pësoi lëndime serioze në ditën kur SHBA-ja kreu sulmet fillestare dhe ia vrau të atin.

“Nëse ai (Trumpi) dëshiron marrëveshje me Iranin, atëherë 24-miliardëshi është test i besimit që Irani dëshiron ta ketë – është test që Amerika duhet ta kalojë dhe që rruga të hapet. Ato janë paratë tona, jo të Amerikës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Irani do të zgjeronte luftën përtej Gjirit Persik nëse SHBA-ja vazhdon sulmet. Fokusin e ka pasur te operacionet ushtarake në Hormuz, Det të Kuq dhe Mesdhe. “Do t’i jepnim dimension tjetër luftës duke kryer sulme mbi këto baza amerikane që nuk janë prekur deri tash”, ka thënë ai. Megjithatë, ka shtuar se gjasat për këtë janë të vogla.

Ai nuk ka pranuar të flasë për shëndetin dhe rolin e Khameneit në vendimmarrje. Megjithatë ka refuzuar mundësinë që ai ta takojë Trumpin. “Kjo nuk do të ndodhë. Tani jemi në fazën e parë të negociatave dhe Trumpi i ka futur negociatat në ngërç. Kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

Më herët gjatë javës, Trumpi tha se po “i ecën mirë me Khamenein” dhe se “do të ishte i nderuar” ta takonte.

Rezaei ka përsëritur se Irani dhe Omani kanë sovranitet mbi Ngushticën e Hormuzit, në të cilën kalon një e pesta e naftës në nivel bote. Ai është përmbajtur nga kërkesa për pagesa nga anijet që kalojnë në këtë ngushticë.

Rezaei është figurë e famshme që i ka shërbyer liderit suprem. Ai ka shërbyer edhe si ish-president në kohën e Ebrahim Raisit. Ka kandiduar katër herë për president, por kurrë s’ka fituar.

Gjatë luftës 40-ditëshe të SHBA-së dhe Izraelit mbi Iran, qëkur nisi në fund të shkurtit, Republika Islamike ka kryer sulme hakmarrëse në 12 shtete të rajonit duke goditur baza amerikane. Teherani raportohet se ka goditur edhe një bazë amerikano-britanike në Oqeanin Indian, rreth 2000 milje larg Iranit, si demonstrim i kapaciteteve ushtarake.

Rezaei ka hedhur dyshime mbi qëndrueshmërinë e një marrëveshjeje për armët bërthamore me Trumpin duke thënë se ai ka qenë i paqartë në bisedime.

E nëse negociatat dështojnë, Rezaei ka thënë se Irani është i përgatitur për ndërhyrjen potenciale të SHBA-së në territor të tij. “Tani bota do t’i shihte kapacitetet e vërteta të Iranit, sepse fuqia jonë tokësore është shumë herë më e madhe se ajo e raketave”.

Ai e ka cilësuar luftën aktuale të Iranit si triumfin e parë ndaj armiqve në historinë 47-vjeçare të Republikës Islamike. /Koha.net/

Read Previous

Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shtete

Read Next

A do të largohet Zhegrova nga Juventusi?