Ish ambasadori amerikan: Imazhi i Kosovës në Washington ka pësuar goditje serioze në 16 muajt e fundit

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për raportet Kosovë-SHBA, dhe për faktin se si ka ndikuar kriza politike në Kosovë në këtë marrëdhënie.

Hovenier ka vlerësuar se  imazhi i Kosovës në Washington është dëmtuar seriozisht gjatë 16 muajve të fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadës institucionale.

Ai ka theksuar se SHBA-ja, pret nga Qeveria e re që ndër të tjera, të marrë rol në uljen e tensioneve si brenda Kosovës, ashtu edhe në rajon.

“Mendoj se imazhi i Kosovës në Washington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit. Këtë e them si dikush që prej vitesh ka investuar në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës dhe për të cilin kjo marrëdhënie është shumë e rëndësishme.

Megjithatë, zgjedhjet e përsëritura, dështimi për të zgjedhur presidentin dhe mbështetja në qeveri teknike kanë dëmtuar besimin në aftësinë e Prishtinës për të përmbushur disa nga obligimet e saj. Washingtoni bashkëpunon më së miri me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të zbatojnë atë që premtojnë. Këtu ekziston edhe një kosto financiare.

Kosova rrezikon të humbasë miliona dollarë ose euro nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, si dhe nga burime të tjera financimi, nëse reformat kyçe nuk miratohen, ndërsa kjo paralizë legjislative është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës institucionale. Prandaj, për rikthimin e besimit do të nevojitet shumë më tepër se fjalë. Qeveria e re do të duhet të tregojë se është serioze.

Ajo do të duhet të tregojë se mund të zgjedhë presidentin dhe të formojë një koalicion stabil e të parashikueshëm, të miratojë buxhetin dhe të ndërmarrë hapa të hershëm e të dukshëm për uljen e tensioneve si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon, si dhe të zbatojë reforma të caktuara në fushën e sundimit të ligjit”, ka thënë Hovenier ndër të tjera.

Megjithatë, ish ambasadori amerikan ka thënë se ka edhe lajme të mira, e kjo për faktin se siç është shprehur ai, gatishmëria e Washingtonit t’u riangazhuar është shumë reale.

Megjithatë, mendoj se ka edhe lajme të mira, pasi më duket se gatishmëria e Uashingtonit për t’u riangazhuar është shumë reale. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar publikisht se shpresojnë në një riangazhim pas këtyre zgjedhjeve dhe presin një marrëdhënie ndryshe dhe më pozitive. Kjo është diçka që të gjithë duhet ta mirëpresim.

Megjithatë, do të paralajmëroja se kjo hapësirë nuk do të mbetet e hapur për një kohë të pakufizuar.Qeveria e re do të duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të konsoliduar kapacitetet e saj dhe për të filluar të rindërtojë besimin mes Kosovës dhe partnerëve të saj, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu do të theksoja se gjithçka që kam thënë për marrëdhëniet me SHBA-të, duket se vlen edhe për Bashkimin Evropian”, është shprehur Hovenier./Reporteri.net/

Read Previous

Një biletë për finalen e Kupës së Botës kushton deri në 11.5 milionë dollarë, FIFA nën kritika të mëdha

Read Next

BE autorizon negociatat me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Kosova drejt heqjes së roamingut me Evropën