Kosova kërkon mbështetje amerikane për anëtarësim në NATO

Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe thellimi i partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara ishin në qendër të takimeve që liderët institucionalë dhe politikë në Kosovë zhvilluan me delegacionin e Kongresit amerikan, të kryesuar nga kongresisti republikan Keith Self dhe kongresisti demokrat Suhas Subramanyam.

Në takimet e ndara me ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti, ish-presidenten Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, është kërkuar mbështetje e vazhdueshme amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës, me theks të veçantë në anëtarësimin në NATO, forcimin e sigurisë rajonale dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu vuri theks të veçantë te rëndësia e mbështetjes amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës.

Ajo tha se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës dhe një garanci për sigurinë afatgjatë dhe stabilitetin rajonal.

Haxhiu falënderoi kongresistin Self për mbështetjen e tij publike ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për angazhimin lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ndërkaq, praninë e kongresistit Subramanyam në delegacion e cilësoi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi dhe inovacioni.

Kongresistët u pritën edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO përmes rezolutave 1246 dhe 1250 në Kongresin amerikan.

Kurti gjatë takimit diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe siguri, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Shtetet e Bashkuara në sektorët e teknologjisë dhe tregtisë. Ai përmendi edhe planet e Qeverisë për reforma në arsim dhe zhvillim ekonomik, duke e cilësuar SHBA-në partner të pazëvendësueshëm për Kosovën.

Sipas Kurtit, pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e të drejtave të komuniteteve, ku ai potencoi se standardet për të drejtat e pakicave duhet të jenë të njëjta në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se Kosova pret thellim të mëtejmë të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara në fusha strategjike dhe të sigurisë.

Delegacioni amerikan u prit edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila e cilësoi kongresistin republikan Keith Self si “mik të madh të popullit të Kosovës”.

Osmani tha se gjatë takimit e ka falënderuar kongresistin amerikan për mbështetjen e tij ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme për anëtarësimin e vendit në NATO.

Ajo bëri të ditur se pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi me administratën e presidentit Donald Trump dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme.

Kongresistin amerikan Keith Self e takoi edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si dhe për angazhimin në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe partneritetit mes dy vendeve.

Haradinaj shprehu mirënjohje të veçantë për rolin personal të kongresistit Self dhe për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Ai deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet jetik për sigurinë e vendit dhe stabilitetin e rajonit, duke shtuar se miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbetet e fortë dhe e përhershme.

Kosova ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO, pasi nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës.

Katër vende të NATO-s, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në NATO, vendimet për anëtarësim merren me konsensus të plotë, që do të thotë se edhe kundërshtimi i një shteti të vetëm mund ta bllokojë procesin.

Po ashtu, Kosova vazhdon të ketë një status të kontestuar ndërkombëtarisht. Edhe pse mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e saj, mungesa e njohjes universale e bën të vështirë pranimin në organizata si NATO, ku shtetësia e plotë është parakusht politik dhe juridik.

Kosova është në proces zhvillimi për përmbushjen e standardeve të kërkuara, por ende nuk e ka përmbyllur transformimin dhe konsolidimin e plotë institucional. /Albanianpost.com

Read Previous

Guti kritikon Real Madridin: Mungon fryma e ekipit dhe uniteti brenda skuadrës

Read Next

Finalja vendimtare mes “Samadrexhës” dhe “Shqiponjës” për titullin kampion në hendbollin e femrave