Ukraina në BE? Italia: Për ne prioritet Ballkani

Propozimi i Komisionit Europian për hapjen e kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë në muajin qershor ka shkaktuar debate në politikën italiane.

Pjesëtarët e koalicionit qeverisës në Itali i bënë thirrje Brukselit që, para se të mendojë për Ukrainën e destabilizuar nga lufta me Rusinë, të llogarisë anëtarësimin sa më shpejt të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kanë vite që po punojnë për përmbushjen e kritereve, siç vuri në dukje edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.

“Ne mbështesim rrugëtimin e Ukrainës, por nuk duhet të harrojmë se kemi kandidatë të tjerë përpara. Për ne, prioritet absolut janë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë vite që presin dhe e meritojnë anëtarësimin në familjen europiane.”, tha Tajani.

Por ideja pro Ukrainës ka sjellë krisje mes koalicionit qeveritar. Partia Lega Nord e Matteo Salvinit doli kundër opsionit të anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke theksuar se ky pranim do të përfaqësonte dëme të mëdha ekonomike dhe sociale.

Ndërsa opozita akuzoi Melonin se po pengon Ukrainën duke zbatuar fshehurazi një axhendë pro-ruse. /tvklan.al

Read Previous

OKB: Temperaturat globale nivele rekord deri në 2030-n

Read Next

“Ndihem keq për atë që ndodhi”, Kumbulla flet për sezonin e vështirë te Mallorca