GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Prokurori italian antimafia, Giuseppe Gatti, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare në Evropë, duke i cilësuar ato si ndër organizatat më të shtrira dhe më të fuqishme kriminale në territorin e Bashkimit Evropian.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës së përbashkët mes SPAK-ut dhe Antimafias së Barit, pas operacionit të përbashkët kundër një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në Bashkimin Evropian”, deklaroi Gatti.
Sipas tij, për vite me radhë këto struktura janë nënvlerësuar nga autoritetet dhe opinioni publik, pasi perceptoheshin si grupe të përfshira kryesisht në prostitucion apo emigracion të paligjshëm.
“Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm. Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar”, tha prokurori italian.
Gatti shkoi më tej, duke argumentuar se grupet kriminale shqiptare kanë zhvilluar karakteristika të qarta mafioze dhe ruajnë lidhje të forta me strukturat bazë në Shqipëri, edhe kur operojnë jashtë vendit.
“Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, të krijuar dhe të konsoliduar në Shqipëri”, deklaroi ai.
Sipas prokurorit, organizatat shqiptare operojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar shpesh rol drejtues në vendet ku veprojnë. Ai përshkroi gjithashtu një konkurrencë të brendshme për dominim mes grupeve kriminale dhe një proces që e quajti “delokalizim të krimit të organizuar”.
“Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze”, tha Gatti.
Ai përmendi edhe raste të dhunës ekstreme si pjesë e mënyrës së funksionimit të këtyre organizatave.
“Një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet. Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre”, deklaroi prokurori italian.
Megjithatë, prokurori i posaçëm i SPAK, Vladimir Mara, kërkoi të shmanget stigmatizimi mbi bazë kombësie, duke theksuar se fenomeni duhet parë në prizmin e krimit të organizuar dhe jo të origjinës etnike.
“Nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar, por për fenomenin e krimit të organizuar”, deklaroi Mara.
Sipas tij, elementë të krimit shqiptar kanë gjetur mbështetje në Itali, ku kanë krijuar modele bashkëpunimi që kanë avancuar dhe modernizuar mënyrat e kryerjes së veprave kriminale.
“Kemi dokumentuar episode të trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Falë këtij hetimi është zbuluar edhe vrasja e një shtetasi në Itali”, shtoi prokurori i SPAK. /Albanianpost.com