BE: Konfiskimi i pasurive kriminale, kyç për integrimin e Shqipërisë

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe konfiskimi i pasurive kriminale mbeten ndër kushtet kryesore për integrimin evropian të Shqipërisë.

Mesazhi u dha gjatë konferencës “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, ku përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe autoritete shqiptare vlerësuan rëndësinë e goditjes së fuqisë ekonomike të krimit.

I ngarkuari me punë i BE-së në Shqipëri, Andre Rizzo, deklaroi se krimi i organizuar luftohet duke i goditur grupet kriminale në zemër, përmes konfiskimit të pasurive të krijuara nga aktivitetet e paligjshme.

Sipas tij, krimi i organizuar vijon të mbetet një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe shtete të tjera evropiane, pasi grupet kriminale operojnë përtej kufijve dhe përdorin teknologji gjithnjë e më të sofistikuara.

“Një nga mesazhet më të qarta është që krimi nuk paguan. Përdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale është i dobishëm sepse e kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike”, u shpreh Rizzo.

Ai vlerësoi gjithashtu progresin e Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rolin e institucioneve si SPAK dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se objektivi kryesor i qeverisë mbetet goditja e fuqisë ekonomike të krimit të organizuar.

Lamallari theksoi se lufta ndaj krimit nuk mjafton vetëm me arrestime dhe dënime, por kërkon edhe heqjen e fuqisë financiare të organizatave kriminale.

“Sot flasim për drejtësi, për shtet dhe për besim publik. Krimi i organizuar nuk ndërton vetëm rrjete kriminale, por krijon fuqi ekonomike, korrupton dhe godet besimin e qytetarëve tek shteti”, u shpreh ministri.

Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim ndodhen mijëra pasuri të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Sipas Lamallarit, këto rezultate janë dëshmi e forcës së institucioneve dhe e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, SPAK-ut, strukturave të hetimit financiar dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ministri nënvizoi se sfida nuk përfundon me konfiskimin e pasurive, por me mënyrën se si ato rikthehen në shërbim të publikut.

“Pasuritë e krimit nuk duhet të harrohen dhe as të degradojnë. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit”, deklaroi ai.

Lamallari solli në vëmendje edhe raste konkrete ku fondet dhe asetet e konfiskuara janë përdorur për të mbështetur institucionet e drejtësisë, projekte sociale, shkolla, spitale dhe qendra komunitare.

“Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët”, tha ministri.

Duke u ndalur tek sfidat e reja të krimit financiar, Lamallari theksoi se kripto-asetet, transfertat ndërkufitare dhe format moderne të pastrimit të parave kërkojnë përgjigje të reja dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar.

Ai vlerësoi partneritetin me Bashkimin Europian, Europol-in, Eurojust-in dhe vendet partnere, duke theksuar se Shqipëria mbetet e vendosur për të forcuar shtetin e së drejtës dhe standardet europiane në luftën kundër krimit të organizuar.

“Nje shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri dhe ua kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, përfundoi Lamallari. /Albanianpost.com

Read Previous

Capello: Milani pa forcë, pa vullnet dhe pa ide

Read Next

AKB: Pabarazia mes sektorit publik dhe privat po thellohet në Kosovë