NATO po shqyrton rikthimin gradual të misionit në Irak

NATO po shqyrton mundësinë e rikthimit të misionit të saj në Irak në muajt e ardhshëm, pasi ai u evakuua plotësisht në Itali për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, deklaroi ish-komandanti i misionit, gjenerali francez Christophe Hintzy.

“Stafi i përgjithshëm po punon mbi opsione të ndryshme” për të mundësuar rikthimin e misionit në Bagdad, tha Hintzy, i cili këtë javë ia dorëzoi komandën gjeneralit spanjoll Ramon Armada.

“Ku, kur dhe si? Nuk e dimë ende. Por vendosmëria ekziston”, tha ai, duke shtuar se po shqyrtohen “disa skenarë” dhe se rikthimi pritet të bëhet “hap pas hapi”.

Megjithatë, ai theksoi se misioni nuk do të rikthehet me të njëjtën përmasë si më parë.

“Do të jetë një prani shumë më e vogël”, tha ai, pa dhënë shifra konkrete.

Misioni i NATO-s në Irak, i krijuar në vitin 2018 me kërkesë të qeverisë irakiane, nuk ka rol luftarak.

Ai fokusohet në këshillimin dhe forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë së Irakut.

Para zhvendosjes në Itali, në Bagdad ishin të vendosur rreth 750 pjesëtarë nga 21 vende të ndryshme, si dhe rreth 500 kontraktorë civilë.

Më 18 dhe 20 mars, rreth tre javë pas sulmeve të para të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, afërsisht 1 300 pjesëtarë të misionit u evakuuan në Evropë në dy faza.

Më pas, Irani kreu sulme në Irak dhe në rajonin e Gjirit, duke pretenduar se objektivat kishin lidhje me SHBA-në dhe Izraelin.

Aktualisht, NATO vazhdon aktivitetin e misionit nga komanda e saj rajonale në Napoli.

Hintzy shprehu habi për vendimin e evakuimit të plotë. Sipas tij, ishte planifikuar që rreth 300 persona të qëndronin në Irak në kushte të sigurta.

“Misioni nuk ka qenë kurrë në rrezik, madje as gjatë periudhave më të vështira”, deklaroi ai. /ATSH-AFP/

Read Previous

Rubio kërkon “Plan B” për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit nëse Irani refuzon

Read Next

Kush e fiton Botërorin sipas ish-përzgjedhësit të Kosovës, Alain Giresse?