Bizneset e rajonit kërkojnë tregti pa barriera, Kosova pro hapjes tregtare

Heqja e barrierave tregtare ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor po shihet gjithnjë e më shumë si një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të rajonit. Sipas të dhënave të publikuara në Barometrin Rajonal të Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), shumica e bizneseve mbështesin fuqishëm lehtësimin e tregtisë dhe eliminimin e pengesave administrative e doganore mes vendeve fqinje.

Anketa, e realizuar me kompani nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se rreth 70 për qind e bizneseve e konsiderojnë “shumë të rëndësishme” ose “të rëndësishme” heqjen e barrierave tregtare. Sipas raportit, kompanitë besojnë se lëvizja më e lirë e mallrave dhe procedurat më të shpejta kufitare do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e investimeve, zgjerimin e tregjeve dhe uljen e kostove operative.

Në Kosovë, tregtia rajonale shihet si një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e sektorit privat. Sipas të dhënave, 60 për qind e bizneseve kosovare e konsiderojnë heqjen e barrierave tregtare si “shumë të rëndësishme”, ndërsa 11 për qind të tjera e vlerësojnë “të rëndësishme”.

Megjithatë, raporti evidenton edhe skepticizëm te një pjesë e bizneseve në Kosovë. Rreth 17 për qind e kompanive të anketuara deklarojnë se heqja e barrierave nuk ka rëndësi për aktivitetin e tyre ekonomik. Pavarësisht kësaj, shumica e komunitetit të biznesit mbetet në favor të integrimit ekonomik rajonal dhe krijimit të një tregu më të hapur.

Edhe në Shqipëri, kompanitë tregojnë mbështetje të lartë për lehtësimin e tregtisë. Sipas anketës, 75 për qind e bizneseve shqiptare e konsiderojnë heqjen e barrierave si shumë të rëndësishme për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik. Vetëm 9 për qind e të anketuarve shprehen se ky proces nuk ka ndikim për biznesin e tyre.

Mbështetja më e madhe për hapjen tregtare është regjistruar në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku 88 për qind e bizneseve të anketuara janë deklaruar pro eliminimit të barrierave tregtare me vendet e rajonit. Raporti vlerëson se bizneset boshnjake vazhdojnë ta shohin bashkëpunimin rajonal si mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik.

Në Maqedoninë e Veriut, 67 për qind e bizneseve mbështesin heqjen e barrierave tregtare, ndërsa edhe Mali i Zi paraqet një klimë pozitive ndaj bashkëpunimit ekonomik rajonal, me 68 për qind të bizneseve që mbështesin lehtësimin e tregtisë.

Raporti nxjerr në pah se komuniteti i biznesit në Ballkanin Perëndimor po kërkon gjithnjë e më shumë integrim ekonomik, procedura më të thjeshta kufitare dhe një treg rajonal më funksional. Sipas bizneseve të anketuara, heqja e barrierave tregtare mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit. /RTKlive

Read Previous

Policia e Kosovës: 51 aksidente trafiku në 24 orët e fundit

Read Next

​Arrestime për armëmbajtje pa leje në disa rajone të Kosovës