Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Ekspozita e ATSH-së “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e cila është hapur në ambientet e Kalasë së Tiranës, vijon të nxisë interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët çmojnë rolin e medies të pavarur dhe të besueshme në informimin e publikut dhe në luftën kundër dezinformimit, në një kohë sfidash për komunikimin dhe medien në tërësi.
Në një intervistë për ATSH-në, deputetja me origjinë nga Kosova në Kantonin Valais të Zvicrës, Afërdita Bogiqi, vlerësoi rëndësinë e mediave publike dhe të agjencive të besueshme të lajmeve në një kohë kur dezinformimi dhe ndikimi i rrjeteve sociale po rritet ndjeshëm.
Prej 30 vitesh Bogiqi jeton në Zvicër ku është bërë edhe zëri përfaqësues i komunitetit shqiptar të kantonit Valais, në jugperëndim të vendit.
Me origjinë nga Kosova, Bogiqi është zgjedhur si parlamentare në kantonin e Valaisit si dhe në ekzekutivin e komunës ku jeton.
Ndërsa u ndal te roli i medies në luftën kundër dezinformimit, Bogiqi solli në vëmendje referendumin e zhvilluar së fundmi në Zvicër mbi financimin e mediave publike, ku qytetarët hodhën poshtë një iniciativë të mbështetur nga qarqe të së djathtës ekstreme, e cila synonte uljen drastike të financimit për transmetuesin publik zviceran “SRG SSR”.
Ajo theksoi se mosmiratimi i kësaj nisme konsiderohet një sinjal i rëndësishëm për mbrojtjen e mediave të pavarura dhe profesionale.
“Kemi votuar në Zvicër për mediet shtetërore. Iniciativa e të djathtës ekstreme ishte të zbritej financimi i shtetit për këto medie. Për fat mirë nuk ka kaluar ai ligj. Do të thotë që mediat janë shtetërore, janë të financuara dhe ky është lajm shumë i mirë”, u shpreh ajo.
Në këtë kontekst, Bogiqi nënvizoi rëndësinë e medies publike në luftën kundër dezinformimit. Sipas saj, në realitetin e sotëm politik dhe mediatik, një agjenci lajmesh që transmeton informacion të verifikuar dhe profesional mbetet një hallkë thelbësore për demokracinë dhe për krijimin e një opinioni publik të informuar.
Ajo nënvizoi se besueshmëria e informacionit është bërë një sfidë globale dhe se mediat profesionale kanë rol kyç në ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe kulturës demokratike.
“Është me rëndësi që opinioni i popullit dhe opinioni, sidomos i rinisë, të jetë sa më i saktë. Sidomos sot kur rrjetet sociale kanë zënë një vend shumë të madh dhe rreziku i dezinformimit është shumë i madh. Kjo do të thotë se mediat shtetërore, kualiteti i mediave shtetërore mbetet diçka e qëndrueshme dhe e besueshme”, u shpreh Bogiqi.
Ekspozita e hapur nga ATSH në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, instrument institucional dhe pjesë e kujtesës kombëtare.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim në ambientet e Kalasë së Tiranës. /ATSH/