Dr. Valbona Selimaj-Kontoni: Hantaviruset nuk përbëjnë rrezik pandemik

Dr. Valbona Selimaj Kontoni, mjeke pediatre infeksiologe në klinikën “Saint Jean” në Bruksel, deklaroi se nuk ka vend për panik për prekjen nga hantaviruset, por për kujdes, higjienë dhe informim të saktë, duke theksuar se bëhet fjalë për infeksione të rralla, të cilat nuk kanë potencialin e përhapjes masive si viruset respiratore të njohura.

Në një intervistë për ATSH-në, Valbona Selimaj Kontoni shpjegon se hantaviruset transmetohen nga brejtësit dhe se infektimi tek njerëzit ndodh kryesisht përmes thithjes së grimcave mikroskopike që vijnë nga urina, pështyma ose jashtëqitjet e tyre.

Sipas saj, rreziku më i madh lidhet me pastrimin e ambienteve të mbyllura dhe të pabanuara prej kohësh, si magazina, garazhe, papafingo apo depo ku mund të kenë qëndruar minjtë.

Ajo sqaron se brejtësit e infektuar janë mbartës të virusit gjatë gjithë jetës pa shfaqur shenja sëmundjeje, ndërsa shumica e llojeve të hantavirusit nuk transmetohen nga njeriu te njeriu.

“Vetëm Andes Hantavirus, hantavirusi i Andeve, i identifikuar në Amerikën Latine, ka treguar raste të rralla të transmetimit ndërnjerëzor dhe vetëm në kontakte shumë të afërta”, deklaroi mjekja.

Mjekja bën të ditur se edhe në Shqipëri dhe Kosovë janë diagnostikuar më herët lloje të tjera hantavirusesh, të cilat shkaktojnë ethe hemorragjike dhe insuficiencë renale, por pa transmetim ndërnjerëzor.

Për këto raste, sipas saj, janë realizuar edhe publikime shkencore nga ekipet e infeksiologëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe QSUT-së.

Sipas mjekes infeksiologe, fermat, magazinat bujqësore dhe ambientet ku ruhen prodhime të ndryshme agrare mbeten zonat me risk më të lartë për shkak të pranisë së mundshme të brejtësve dhe kontakteve me urinën apo jashtëqitjet e thata të brejtësve.

Për këtë arsye, Dr. Selimaj Kontoni rekomandon shmangien e çdo kontakti me brejtësit e egër dhe respektimin e rregullave bazë të higjienës gjatë pastrimit të ambienteve potencialisht të kontaminuara.

“Ambientet nuk duhet të pastrohen asnjëherë në mënyrë të thatë”, thekson mjekja, duke shpjeguar se kjo mund të favorizojë përhapjen në ajër të grimcave të infektuara.

Sipas saj, sipërfaqet duhet fillimisht të lagen me dezinfektues dhe ambientet të ajrosen mirë përpara pastrimit. Gjithashtu, përdorimi i dorezave dhe maskave mbrojtëse konsiderohet i domosdoshëm në mjedise me rrezik.

Dr. Valbona Selimaj Kontoni shpjegon se simptomat e para të infeksionit mund të ngjajnë me ato të një gripi të zakonshëm, duke përfshirë temperaturë, lodhje të fortë, dhimbje muskujsh dhe ethe.

Në disa raste, shpjegon mjekja, gjendja mund të përkeqësohet shumë shpejt, duke shkaktuar vështirësi serioze në frymëmarrje për shkak të mbushjes së mushkërive me ujë, çka mund të kërkojë trajtim në terapi intensive dhe ventilim të asistuar.

Ajo nënvizon rëndësinë e paraqitjes tek mjeku që në fazat e para të simptomave, si për trajtim në kohë, ashtu edhe për kontroll dhe monitorim të situatës.

Monitorimi i temperaturës dhe i problemeve respiratore, sipas saj, është thelbësor për çdo person që mund të ketë pasur kontakt me ambiente potencialisht të kontaminuara.

Duke folur për mundësinë e një pandemie, mjekja thekson se hantaviruset nuk krahasohen me koronavirusin apo fruthin për sa i përket aftësisë së përhapjes.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve nuk e konsiderojnë të mundshëm një skenar pandemik nga hantaviruset”, deklaroi mjekja.

Ajo bën të ditur gjithashtu se në vendet e Bashkimit Europian ekzistojnë mekanizma monitorimi dhe se deklarimi i rasteve me hantavirus është i detyrueshëm për autoritetet shëndetësore.

“European Centre for Disease Prevention and Control vlerëson se rreziku për popullatën e përgjithshme të BE-së/ZEE-së është shumë i ulët, megjithëse gjurmimi ndërkombëtar i kontakteve dhe monitorimi vazhdojnë ende. Aktualisht nuk ka vaksina të licencuara apo terapi të synuara të miratuara për sindromën pulmonare nga hantavirusi. Menaxhimi mbetet kryesisht mbështetës, duke përfshirë kujdes intensiv respirator dhe hemodinamik”, shprehet Dr. Selimaj Kontoni.

Mjekja apelon që qytetarët të mos bien pre e panikut, por të tregojnë kujdes dhe të ndjekin masat bazë të higjienës dhe mbrojtjes personale, duke theksuar se informimi i drejtë dhe reagimi i shpejtë mbeten mënyra më e mirë për të parandaluar çdo rrezik për shëndetin publik. /ATSH/

Read Previous

Keqtrajtoi fëmijët në kopsht, edukatorja dënohet me 11 muaj burgim e 5 vjet ndalim ushtrimi të profesionit

Read Next

​“Daily Telegraph”: Kryeministri britanik Starmer mund të japë dorëheqjen