GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kosova shpreson që pjesa e dytë e vitit 2026 do t’i japë fund pritjes së gjatë në ‘sirtarët’ e Bashkimit Evropian, duke qenë se nga 1 korriku deri më 31 dhjetor, presidenca e Këshillit të BE-së do t’i kalojë Irlandës, e cila ka dhënë sinjale pozitive për Kosovën.
Duke folur për prestigjiozen Irish Examiner gjatë vizitës së tij të fundit në Dublin, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se shpreson që Irlanda të ofrojë një platformë të volitshme për të çuar përpara aplikimin e Kosovës.
“Jemi më se të lumtur që kjo përgjegjësi do të jetë mbi supet e Irlandës”, deklaroi ai. “Ky është një lajm pozitiv, ngase ne e njohim frymën e ideve progresive që Irlanda ka gjithmonë drejt kompletimit të BE-së si një projekt politik dhe si një projekt vlerash”.
“Irlanda ka qenë gjithmonë ithtare e zgjerimit të BE-së: ajo e ka shprehur vazhdimisht këtë ideal, këtë vizion të një BE-je të kompletuar pikërisht duke përfshirë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Konjufca. “Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Irlanda pranon presidencën e BE-së nga 1 korriku dhe ne jemi këtu për të shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar”.
Konjufca kërkoi gjithashtu që telashet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë të “shkëputen” nga procesi i pranimit të vendit në BE, duke i bërë thirrje mosnjohësve – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
E ministrja e Punëve të Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, konfirmoi se progresi drejt zgjerimit të BE-së do të jetë në qendër të presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
“Irlanda mbetet një mbështetëse e fortë e Kosovës në rrugën e saj drejt pranimit në BE, si dhe përpjekjen e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Shpresoj që Kosova të shohë siguri më të madhe politike, çka është thelbësore për progres domethënës”.
Që prej aplikimit në dhjetor të vitit 2022, presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes tetë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës, Hungarisë, Polonisë, Danimarkës dhe Qipros. E para e ka pranuar aplikimin e Kosovës, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar, kryesisht për shkak të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka gati katër vjet që mbledhë pluhur në sirtarët e Këshillit të BE-së, për shkak se shtetet anëtare nuk janë treguar të gatshme t’ia dërgojnë kërkesën Komisionit Evropian për të vlerësuar nëse vendi e meriton nisjen zyrtare të negociatave për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së. /Albanianpost.com