Rama: BE, garancia kryesore për reformën në drejtësi dhe ndërtimin e institucioneve

Kryeministri Edi Rama theksoi rolin vendimtar të Bashkimit Europian në procesin e integrimit dhe në konsolidimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Duke folur në sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, Rama u shpreh se BE mbetet burimi kryesor i njohurive për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe funksionale.

“BE është burimi i vetëm për të mësuar si ndërtohen institucionet dhe ky është një proces i transferimit të dijes që Shqipëria e ka një bekim”, deklaroi Kryeministri.

Ai nënvizoi se reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm dhe se qeveria mbetet e angazhuar për ta çuar përpara pa asnjë hap mbrapa.

“Jemi të vendosur që ky proces të mos ketë kthim pas dhe të garantojmë ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtësie”, u shpreh Rama, duke shtuar se mbështetja e Bashkimit Europian është garanci për suksesin e reformës dhe forcimin e shtetit të së drejtës në vend.

“I gjithë procesi i integrimit dhe negociatave është një proces i transferimit të dijeve nga Brukseli në Tiranë dhe është një bekim, sepse asnjë vend nuk i krijon institucionet me forcat e veta kur paguan çmimin e një vendi pa shtet dhe institucione”, deklaroi Kryeministri.

“Jam besimplotë se ky proces nuk do të ketë kthim mbrapa. Jemi të angazhuar ta bëjmë të pakthyeshëm këtë proces dhe kjo është garanci shumë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, vijoi Rama.

“Nëse BE nuk do të ishte aty dhe shqiptarët nuk do ta dëshironin BE, ne nuk do të arrinim kurrë të ndërtonim një sistem të pavarur drejtësie, ose do ta arrinim aq sa e kanë arritur Iraku dhe Afganistani pas përpjekjeve të Perëndimit dhe NATO-s për të çuar demokracinë në këto vende. Ndryshimi është se ne kemi BE dhe ata nuk e kanë”, deklaroi Rama. /ATSH/


“Po ndërtojmë kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji, jo nga forca”

Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se vetingu i gjykatësve dhe prokurorëve shenjoi një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare, ndërsa Partia Socialiste ishte e para që besoi në këtë gjë.

Në fjalën e mbajtur, gjatë punimeve në Kongresin Botëror të Ligjit, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, i organizuar nga Shoqata Botërore e Juristëve në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, gjyqtarë ndërkombëtarë, ekspertë dhe akademikë të së drejtës nga e gjithë bota.

Rama e cilësoi këtë kongres, si një moment prekës për Shqipërinë, për faktin se vendi ynë bëhet epiqendra e një aktiviteti me prestigj botëror në fushën e sundimit të ligjit.

“Një botë e qeverisur nga ligji, jo nga forca”, është motoja që ka udhëhequr që nga viti i lindjes së saj, në 1963, Shoqatën Botërore të Juristëve, e krijuar asokohe mes tensionesh të thella gjeopolitike dhe e rritur si një platformë besimi te ligji dhe besueshmërie e njerëzve të ligjit. Sot, Kongresi Botëror i Ligjit është një institucion i mirënjohur botërisht, i cili nën kujdesin e Mbretit të Spanjës, Felipe II, dhe me punën e palodhur të shoqatës, çon nëpër botë mesazhin pikërisht të atij motivi që e lindi shoqatën, mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji, jo nga forca”, tha Rama.

“Dhe nuk besoj se do të kishte këtu në këtë sallë apo jashtë saj një shqiptar të vetëm që do ngrinte dorën nëse unë do pyesja: a do ta kishit imagjinuar vetëm disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të bëhej në Tiranë në vitin 2026”, vijoi ai.

Sipas kreut të Ekzekutivit, “askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana, Shqipëria, do të përzgjidhej nga kjo platformë prestigjioze si një vend mikpritës i këtij kongresi, jo për pozicionin e saj gjeografik, jo për klimën apo mikpritjen, por për çka Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike dhe të pamundur për shumë dekada për popullin shqiptar, për të ndërtuar këtu, në këtë vend, kushtet e një vendi të qeverisur nga ligji, jo nga forca”.

“Mu kujtua kur ne bëmë një anketim publik për vetingun, në kohën kur konceptonim dhe çonim përpara reformën në drejtësi, dhe dihet që vetingu ishte një pikë kyçe, tek e cila ishim ne që besuam të parët, dhe pastaj bëmë të gjitha përpjekjet që ata të cilët sot e përshëndesin vetingun si një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare, ta besonin siç e besonim ne”, tha Rama, ndërsa nënvizoi partnerët ndërkombëtarë, si një element me rëndësi të dorës së parë në këtë proces.

“Në atë anketim publik që bëmë asokohe për të matur pulsin e opinionit publik shqiptar, morëm dy të dhëna shumë domethënëse. 90% e kusur e shqiptarëve mbështesnin vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama. /ATSH/

Read Previous

Kryediplomati shqiptar takohet me Rutte-n: NATO më e rëndësishme se kurrë në situatën aktuale

Read Next

“The New York Times”⁠: FDA bllokon studimet për sigurinë e vaksinave, reagon komuniteti shkencor