Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro, pra një (1) euro për çdo votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas së cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,092,202.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Sekretari Besnik Buzhala, shpjegoi proceduren duke theksuar se “Siç e dini, sipas planit kohor, fushata zgjedhore do të fillojë më 28 maj 2026 dhe do të përfundojë më 7 qershor 2026, para hapjes së qendrave të votimit”.
“Andaj, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, theksoi ai.
Mbi 2 milionë votues në listën preliminare për zgjedhjet e 7 qershorit
Në mbledhjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është prezantuar raporti i Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.
Sipas raportit, lista përmban gjithsej 2,092,202 votues, që është për 15,912 më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në këto zgjedhje, 22,131 qytetarë do të votojnë për herë të parë, ku mbi 16 mijë janë të rinj që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa mbi 5 mijë janë regjistruar rishtazi ose kanë rikthyer shtetësinë.
Ndërkohë, nga lista janë larguar 6,219 votues, kryesisht për shkak të vdekjes apo humbjes së shtetësisë, ndërsa 6,797 persona të tjerë nuk janë përfshirë, pasi janë evidentuar si të vdekur përmes verifikimeve institucionale.
Këto të dhëna pasqyrojnë përditësimin e listës votuese në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. /RTKlive