Partitë s’u morën vesh, Kosova sërish në zgjedhje

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje, meqë Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë Presidentin e ri. Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Afati kushtetues 34 ditor për zgjedhjen e Presidentit përfundoi mbrëmë në mesnatë. Gjykata Kushtetuese me aktgjykim ka përcaktuar që Kuvendi shpërndahet me automatizëm nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti, shkruan Reporteri.net.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu deklaroi se zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues.

“Sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë. Zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, tha Haxhiu, në fund të seancës.

Fjalim në Kuvend mbajti edhe kryeministri Kurti. Ai ka thënë se në zgjedhjet e reja që po e presin vendin, VV-ja vetëm sa do të rritet si parti.

“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata, por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dimë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet”, ka thënë Kurti.

Minutat e fundit të seancës për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri Albin Kurti i shfrytëzoi po ashtu  për ta goditur opozitën.

Kurti ka thënë se opozita është “e vjetër” dhe se sa më shumë po mbahen zgjedhje, po “bie më poshtë”, shkruan Reporteri.net.

“Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë naj fytyrë të re, por zanatet i kanë të vjetra. Prandaj janë në rënie të lirë. Janë duke rënë vazhdimisht në ciklin zgjedhor. Sa ma shumë që mbahen zgjedhje, aq më poshtë po shkojnë dhe asnjë mësim nuk po e nxjerrin”, tha Kurti.

“Për besë do të ishin qesharakë po të mos ishin të gjorë”, deklaroi Kurti.

E pas seancës Kurti ka mbajtur konferencë me kandidaten e propozuar Feride Rushiti.

“Unë e bëra këtë lëvizje vetëm e vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik… Udhëtimi im vazhdon me organizatën joqeveritare që unë e përfaqësoj”, tha Rushiti.

Opozita pas seancës tha se rendi kushtetues në fund të fundit u mbrojt dhe u shmang shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Ushtrueses së detyrës së Presidentes, njëherit Kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, tani i mbetet t’i ftoj partitë në takim për ta caktuar datën e zgjedhjeve brenda 45 ditësh.

E diela e 7 qershorit është data e fundit që mund të caktohet si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve./Reporteri.net/

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Gjykimi për krime lufte ndaj Grujica Veljoviq mbahet në mungesë