“Puç kushtetues”, reagime të ashpra pas zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvend

Reagime të ashpra kanë pasuar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të proceduar me zgjedhjen e presidentit të vendit me vetëm 64 deputetë në sallën e Kuvendit, duke nxitur akuza për shkelje kushtetuese dhe cenim të rendit juridik. Seanca për zgjedhjen e Presidentit që u ndërpre mbrëmë, do të vazhdojë sot në ora 10:00. Për këtë pozitë janë propozuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ajo që ndodhi ishte shkelje kushtetuese, duke e cilësuar si “puç kushtetues”.

Ai tha se nuk mund të zgjedhet Presidenti i vendit në mënyrë antikushtetuese, shkruan Reporteri.net.

“Është një puç kushtetues. Veç ka ndodhë shkelja kushtetuese…Kjo praktikë duhet të ndërpritet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik dhe institucionet e vendit”, tha ai në hollin e Kuvendit.

Hamza tha se Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë në sallë prezent dhe të votojnë që të konsumohet rundi i parë dhe njëjtë kërkohet në rundin e dytë, në të cilin, sipas tij, nuk mund të kalohet pa u konsumuar rundi i parë.

“Ne besojmë që nuk janë plotësuar kushtet për të kaluar në rundin e dytë”, tha Hamza.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se Vetëvendosja inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në reagimin e LDK-së u tha se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit.

“Ky është abuzim i hapur me Kuvendin e Kosovës, shkelje e rëndë e rendit kushtetues dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik. LDK-ja nënvizon fuqishëm se Republika nuk mund të merrret peng. Rendi kushtetutes nuk është i negociueshëm. Për aktin e sontëm do të ketë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale”, thuhet në reagim.

Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, madje ka prezantuar 15 nënshkrimet e LDK-së për kandidat për President.

Abdixhiku nuk tregoi nëse nënshkrimet ishin specifikisht për Vjosa Osmanin apo ndonjë emër tjetër. Ai tha se nuk ka dashur që këto nënshkrime t’i bëj pjesë e lojërave politike.

“Ja ku janë 15 nënshkrime të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Besoj se kjo ish dashtë ta përmbyllë gjithë debatin. Këto nënshkrime s’kam dasht t’i bëj pjesë e lojërave politike. Nuk propozon dicka LDK që s’mund t’i qëndrojë prapa”, tha Abdixhiku.

“Puç kushtetues” e konsideruan edhe nga AAK. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se zhvillimet e mbrëmshme janë goditje e rëndë ndaj rendit kushtetuese.

“Ajo që bëri Haxhi është një goditje e rëndë ndaj rendit kushtetues duke nisur një seancë me rregulla të përcaktuara, ku duhet 2/3 e votave për nisje të seancës së Kuvendit”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, “për Aleancën ky është sulmi më i madh që i është bërë Kushtetutës së Kosovës”.

Edhe Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e presidentit nuk mund të vazhdojë pa përmbushjen e kuorumit kushtetues prej 80 deputetësh në dy raundet e para.

Hasani kritikoi interpretimin e bërë nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke thënë se ajo e ka interpretuar në mënyrë arbitrare aktgjykimin e vitit 2011 lidhur me procedurën për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Hasanit, aktgjykimi i vitit 2011, i rikonfirmuar pjesërisht edhe në rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçi, përcakton qartë se në dy raundet e para kërkohet pjesëmarrja e dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 80 deputetë, në mënyrë që procesi të mund të kalojë në raundet pasuese.

Ai  në Klan Kosova theksoi se vetëm në raundin e tretë ndryshon pragu i nevojshëm, ku kërkohen 61 vota, por jo pa kaluar më parë dy raundet e para sipas rregullave kushtetuese.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se përpjekja e VV-së për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues, cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.

Në reagimin e KDI-së thuhet se vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë.

Sipas KDI, çdo tentativë për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës./Reporteri.net/

Read Previous

Parashikimi i motit për sot

Read Next

Sot vazhdon sërish seanca për presidentin