Konjufca: Qosja ishte një nga intelektualët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vlerësuar lart figurën e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë përkujtimore të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se humbja e tij është e madhe për shoqërinë shqiptare.
Hamza u shpreh se Qosja nuk ishte vetëm një figurë e dijes, por një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe i fjalës së lirë.
“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte”, tha ai.
Ai theksoi se pikërisht për shkak se Qosja nuk heshti asnjëherë, zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen.
“Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës së tij. Ai ishte gjykatës i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë apo politikës, por sfidues i tyre”, u shpreh Hamza.
Sipas tij, Qosja nuk ishte produkt i rrethanave, por kundërshtim i tyre, duke zgjedhur gjithmonë të vërtetën përballë kompromiseve.
“Në një mjedis që shpesh kërkon rehatinë, ai zgjodhi shqetësimin. Në një politikë që shpeshherë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën. Dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën”, tha pos tjerash Hamza. /RTKlive