Ish-futbollisti i njohur brazilian Cafu ka dalë në mbrojtje të dy gjigantëve të futbollit spanjoll, Real Madrid dhe FC Barcelona, duke theksuar se eliminimi i tyre në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nuk duhet parë si krizë.
Cafú u shpreh se nuk do të bënte asnjë ndryshim te skuadra aktuale e Real Madridit. “Unë nuk do të ndryshoja asgjë te ky ekip. Do ta lija Real Madridin ashtu siç është. Në vitet e fundit ka arritur në shumë finale të Ligës së Kampionëve”, deklaroi ai.
Sipas legjendës braziliane, pritshmëritë e larta që shoqërojnë klube të mëdha si Real Madridi dhe Barcelona shpesh çojnë në perceptime të gabuara. Ai theksoi se fakti që këto ekipe nuk arritën në gjysmëfinale këtë sezon nuk është tregues i një rënieje të thellë. “Thonë se Real Madridi dhe Barça janë në krizë, sepse janë eliminuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por nuk e shoh kështu”, u shpreh ai.
Cafú shtoi se është krejtësisht normale që edhe klubet më të mëdha të mos arrijnë çdo sezon në finale, duke marrë parasysh konkurrencën e fortë në arenën evropiane. Ai madje pranoi se do të dëshironte të ishte pjesë e këtyre skuadrave në kohët aktuale, pavarësisht kritikave që i rrethojnë. “Do të doja të luaja sot në këtë Real Madrid, ose te Barcelona, pavarësisht ‘krizave’ të tyre”, përfundoi ai. /tvsyrivision/