Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë duke e zhvilluar një takim në Prishtinë në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Dy figurat thanë se do të deklarohen për media pas takimit.
Takimi mes tyre vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit do të skadojë më 28 prill, i cili nëse nuk përmbushet, bën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Pak orë para takimit, Kurti tha se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare dhe bëri thirrje për kompromis.
“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, dhe kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis e vendime jo të lehta”, tha Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Abdixhikut, pas atij të fillimuajit që përfundoi pa ndonjë marrëveshje.
Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese u dha kohë ligjvënësve deri më 28 prill për ta zgjedhur një president të ri.
Që prej atëherë, ka pasur pak lëvizje në drejtim të një marrëveshjeje të mundshme dhe Kurti nuk e ka zhvilluar asnjë takim deri tani me partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila thotë se po pret shkresë zyrtare nga kryeministri për takim.
Kurti e ka kritikuar PDK-në se në bisedimet e mëparshme kishte kërkuar që dikush nga partia opozitare të zgjidhej president pa treguar emrin e kandidatit të mundshëm.
Edhe ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se partitë opozitare nuk kanë propozuar emra për president në takimet e deritanishme me kryeministrin.
“Në asnjë rast deri tani, nga LDK-ja apo PDK-ja nuk ka pasur propozime apo nismë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të propozuar emra”, tha ministrja e Kurtit në një konferencë për media të hënën.
Javën e kaluar, Abdixhiku – partia e të cilit i ka 15 vende në Kuvend – i hodhi poshtë thashethemet se ai do të vetëpropozohej për president.
Duke folur më 11 prill për takimin e atëhershëm me Kurtin, ai e pranoi se nuk ka propozuar asnjë emër nga partia e tij.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.
Pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti ta emërojë zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill.
Edhe vetë Haxhiu u bëri thirrje të dielën partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Radio Evropa e Lirë/