GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka lënë të nënkuptohet se nuk ka ende ndonjë rezultat konkret për çështjen e presidentit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti shkurt para mediave tha vetëm sa janë në komunikim me partitë opozitare.
“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur ka rezultate atëherë ju njoftojmë”, ka thënë Kurti.
Kosova ka hyrë në 15 ditët vendimtare për zgjedhjen e Presidentit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nëse përgjatë këtyre dy javëve nuk arrihet marrëveshje mes partive, do të shkohet sërish në zgjedhje.
Deri më tani ka pasur vetëm një takim për çështjen e presidentit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kurti paralajmëroi se do ta ftojë për takim edhe kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por ky i fundit ftesë ende nuk ka marrë.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për Reporteri.net, se nuk do të marrin pjesë në takim pa letër zyrtare.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka përsëritur gjatë së shtunës se partia e tij është kundër që një partie t’i takojnë tri pozicionet shtetërore, presidenti, kryeministri e kryetari i Kuvendit.
VV i ka propozuar dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuoromi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Më 4 prill, Vjosa Osmanit i ka përfunduar mandati presidencial. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e ka marrë Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
/Reporteri.net/