Tyson Fury ka kërkuar që Anthony Joshua ta pranojë sfidën e tij dhe të ndeshet me të në të ardhmen. Ish-kampioni I botës në peshën e rëndë zbuloi se ka nënshkruar për mega-ndeshjen tërësisht britanike, por AJ, rivali i tij i madh, ende nuk ka rënë dakord për përballjen e tyre.
“Nuk dua të vendos afate kohore për këtë,” deklaroi Fury, që më tej komentoi: “Ai ose do ta bëjë, ose jo. Tani ose kurrë.” Që kur Fury u bë kampion bote për herë të parë, në vitin 2015 dhe Anthony Joshua u ngjit në radhët e profesionistëve pas triumfit të tij olimpik në Londër 2012, britmat për t’i parë të dy më në fund përballë njëri-tjetrit vetëm sa janë rritur.
Gjatë viteve, kjo ndeshje është afruar shumë dhe dukej në prag të konfirmimit pasi Fury fitoi ndeshjen e tij të rikthimit kundër Arslanbek Makhmudov të shtunën në mbrëmje.
Joshua ishte ulur pranë ringut në stadiumin Tottenham dhe sapo mbaroi dueli, Fury iu drejtua dhe i bëri thirrje për ndeshje dhe i bëri shenjë Joshua të përballej në ring, por ai refuzoi.
Fury, i habitur, tha: “Jam i befasuar nga Joshua. Ai u soll pranë ringut për një arsye, për të hyrë në atë ring dhe për të bërë një përballje dhe për ta përfunduar ndeshjen. Kam nënshkruar. Kam nënshkruar muaj më pare, por nuk e di nëse ai ka nënshkruar”.
“Ai ishte shumë i paqartë dhe nuk dha përgjigje përfundimtare. Di një gjë. Ai nuk po thoshte po. Sipas mendimit tim, ai nuk donte të fliste. Ishte thjesht i shokuar. Nuk dinte çfarë të thoshte, erdhi pranë ringut për të parë një ndeshje. Nëse do të isha unë, do të kisha hyrë në atë ring, do të kisha përballur njëri-tjetrin, le ta nisim“, tha Fury.
“10 vjet në përgatitje dhe ende, pas gjithë kësaj kohe, ka ende pasiguri nëse kjo ndeshje do të ndodhë më pas. Nëse nuk është Anthony Joshua rivali im i radhës atëherë nuk jam i interesuar për boksin. Tani më intereson vetëm AJ. Kjo është ndeshja përcaktuese për boksin britanik. Ose do të ndodhë, ose jo”, deklaroi Tyson Fury. /Telesport.al/