Berisha: Hungaria jep shembullin e zgjedhjeve të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha uroi Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungaria, duke e cilësuar procesin si shembull të demokracisë.

Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me TISZA-n dhe falënderoi Fidesz për mbështetjen ndër vite ndaj PD-së.

“Dje populli hungarez, në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, votoi masivisht alternativën e paraqitur nga Péter Magyar, kryetar i partisë së qendrës së djathtë TISZA, anëtare e EPP-së. Me këtë rast, uroj zotin Magyar për fitoren elektorale dhe besimin e madh që mori nga qytetarët e vendit të tij. Shpreh gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për një bashkëpunim të frytshëm me TISZA-n, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë të EPP-së, në interesin më të mirë të dy vendeve tona”, tha Berisha.

Ai shtoi se përmes votës së lirë, qytetarët hungarezë nxorën në opozitë kryeministrin Viktor Orbán dhe partinë e tij Fidesz, pas 16 vitesh në pushtet.

“Kryeministri Viktor Orbán, pasi pranoi publikisht dhe me dinjitet humbjen, uroi kundërshtarin e tij për fitoren dhe e vlerësoi ditën e djeshme si një festë të demokracisë, duke dëshmuar kështu respektin e tij të palëkundur ndaj votës së lirë të qytetarëve hungarezë dhe vlerave themelore të demokracisë e shtetit ligjor”, vijoi ai.

SBerisha tha se “Partia Demokratike, që nga themelimi i saj, ka një bashkëpunim të pandërprerë 35-vjeçar me Viktor Orbán dhe Fidesz-in për të cilin u është atyre mirënjohës”.

“Ne kemi gjetur te kjo parti një mik dhe aleat të çmuar që në fillesa, në përpjekjet tona për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe më pas në vendosjen e një bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve tona. Jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre të vyer në procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe në BE, si dhe për bashkëpunimin tonë për paqen e sigurinë në rajon e njohjen e pavarësisë së Kosovës”, pohoi Berisha.

Në fund, kreu i PD-së përcolli një urim për kombin hungarez për zgjedhje parlamentare model të datës 12 prill 2026. /ATSH/

Read Previous

Shqipëria, nga sekret i fshehur në trend global falë influencerave

Read Next

​Ky mund të jetë presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit