Ujkani: Kosova meritoi të ishte në Kampionatin Botëror

Drejtori sportiv i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani ka folur për eliminimin e Kosovës në playoff-in e Kmapionatit Botëror kundër Turqisë me rezultat 1-0.

Ujkani është shprehur i bindur se Kosova e meritonte kualifikimin në Botërorin e vitit 2026.

“Besoj se e kemi merituar që e kemi merituar të jemi në Kampionatin Botëror por nuk e deshi dhe tani e kemi për detyrë të mendojmë direkt për shtatorin në Ligën e Kombeve. Turqia padyshim ka super-lojtarë, është një ekip që besoj se është në top nivelin botëror dhe ne kemi qenë aty dhe e kemi përgatitur ndeshjen si është më së miri. Këta djem kanë qenë të fokusuar vetëm për një rezultat, vetëm për fitore sepse finalet kur luhen, luhen vetëm për fitore. Kemi provuar deri në moment të fundit, nuk e kem i arritur për fat të keq, por jemi krenar me këta djem”, tha Ujkani.

Ai shtoi se reagimi i lojtarëve të Kosovës pas humbjes ishte diçka që e preku në shprit.

“Ata më janë dhimbsur në shpirt sepse së pari e di si është ndjenja kur je në fushë, je ti ai aktori që e jep maksimumin edhe krejt varet për atyre edhe e ti që kanë qenë aq shumë të mërzitur dhe normalisht se emocionet nuk kanë mundur t’i ndalin pasi e kanë kuptuar se për pak nuk arritën të kualifikohen”, vijoi tutje Ujkani.

Tutje, Ujkani në “SportCast”, deklaroi se mungesa e Amir Rrashmanit ishte shumë e madhe për Kosovës, duke e ditur ndikimin që e ka ai si lider i grupit.

“Çdo lojtarë për ne që nuk ka qenë na ka munguar. Normalisht se kapiteni ynë është kapiten për një arsye, është lideri i ekipit, na ka munguar shumë, por siç thashë, çdo lojtar që nuk ka qenë Leoni (Avdullahu), Learti (Paqarada), Meriton Korenica për shkak se edhe është rritur konkurrenca për atë arsye nuk kanë mundur shumica edhe të jenë me ne edhe pse e kanë merituar, kjo është një gjë pozitive por na kanë munguar shumë por mbështetja e tyre ka qenë maksimale dhe kjo është e mira sepse ky grup është kompakt”, theksoi ndër të tjera Ujkani.

Ish-portieri i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, ka folur për potencialin dhe të ardhmen e yllit kosovar Edon Zhegrova. Në intervistën e tij në “SportCast”, Ujkani vlerësoi lart cilësitë e Zhegrovës dhe ndikimin që ai mund të ketë në një skuadër të nivelit të lartë siç është Juventusi.

“Unë besoj që për një klub si Juventusi, Edon Zhegrova është luks, është luks për ta pasur edhe besoj që Juventusi duhet ta shfrytëzojë djalin maksimalisht për ta rritur nivelin dhe të kthehet Juventusi ku e meriton të jetë, në finalet evropiane, pra në Ligën e Kampionëve, të shkojë të fitojë ose të jetë konkurrent për ta fituar Ligën e Kampionëve. Edon Zhegrova mund të jetë ai lojtari që mund ta sjellë në atë nivel. Edoni është djalosh dhe e duam të gjithë dhe e përkrahim të gjithë dhe sigurisht që edhe në klub është ashtu. Tani normalisht djali nuk ka mundur ende ta jap atë vulën në klubin e vet por lojtarët e dinë çfarë kualiteti ka”, theksoi Ujkani.

Ujkani nënvizoi se Zhegrova mbetet një nga talentet më të mëdhenj të futbollit kosovar, duke lënë të kuptohet se me mbështetjen dhe mundësinë e duhur, ai mund të arrijë nivelet më të larta në futbollin evropian. /KosovaPress/

Read Previous

Zv. ministri i Shëndetësisë: Përzgjedhja e mjekut familjar do të bëhet e detyrueshme

Read Next

Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët